Rusia tërhiqet nga Traktati për Forcat Bërthamore

Rusia ndjek rrugën e SHBA-ve

Putin është takuar sot me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe atë të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, për të diskutuar lidhur me vendimin e SHBA-së.

Putin e urdhëroi Lavrovin që të mos nisë asnjë bisedim të ri për INF-në me SHBA-në, duke thënë se Moska do të presë përgjigjen e Uashingtonit lidhur me propozimet paraprake të Rusisë për të shpëtuar këtë marrëveshje.

“Ne do të përgjigjemi ndaj këtij veprimi. Partnerët tanë amerikanë kanë njoftuar për pezullimin e pjesëmarrjes së tyre në këtë traktat, kështu që edhe ne do ta bëjmë të njëjtën gjë. Gjatë viteve të fundit, ne kemi parë se partnerët tanë nuk po përkrahin iniciativat tona. E kundërta, ata vazhdimisht kanë nxjerrë pretekste për të dëmtuar sistemin global të sigurisë”

Ndërkaq, Putin shtoi se Ministria e Mbrojtjes do të nisë zhvillimin e kapaciteteve të reja të raketave bërthamore, përfshirë edhe raketat supersonike. Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo një ditë më parë njoftoi se SHBA-ja do të pezullojë obligimet nga Traktati për Forca Bërthamore me Rreze të Mesme, nisur nga 2 shkurti.

Ai tha se SHBA-ja do të tërhiqet nga ky traktat për gjashtë muaj. Traktati SHBA-Rusi, i cili daton nga Lufta e Ftohtë dhe ka eliminuar një klasë të tërë të raketave nga Evropa, konsiderohet kyç për stabilitetin strategjik mes Uashingtonit dhe Moskës./21Media

Back to top button