Tërhiqet shorti për subjektet politike për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka tërhequr shortin për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, si dhe për zgjedhjet e parakohshme të 25 dhjetorit për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe Leposaviqit.
Numrat që përbënin tërheqjen ishin nga 111 deri në 115.
Nga hedhja e shortit subjektet u renditën si në vijim: Iniciativa Qytetare Mitrovica me numrin 111, Partia Demokratike e Kosovë 112, Lëvizja Vetëvendosje me numrin 115, Partija Kosovskih Srba me numrin 113 dhe kandidatja e pavarur për komunën e Zveçanit, Sladjana Poantovic e cila kandidon me numrin 114.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se pavarësisht sfidave mbeten të përkushtuar për të kryer detyrat e tyre.
Radoniqi tha se angazhimi i KQZ-së për zgjedhje të lira dhe demokratike është i përhershëm.
“Pavarësisht sfidave të cilat paraqiten në këtë kohë, KQZ-ja mbetet e përkushtuar për të kryer detyrat e veta dhe në këtë drejtim është edhe kjo ngjarje e sotme. Angazhimi ynë për zgjedhjet e lira dhe demokratike është i përhershëm. Kjo mund të jetë vetëm me një angazhim të përbashkët”, tha ai.
Ai tha se para këtij aktiviteti, KQZ-ja ka miratuar Udhëzuesin për tërheqjen e shkurtër dhe renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, udhëzim ky i cili krijon kushtet e barabarta për të gjitha subjektet dhe transparencën.
Zgjedhjet për kryetarë të katër komunave në veri janë caktuar të mbahen më 18 dhjetor, ndërsa zgjedhjet për kuvendet komunale do të mbahen më 25 dhjetor.

Back to top button