Termokos përmbyllë sezonin ngrohës 2023/2024

Termokos ka njoftuar se do të përmbyllë sot sezonin ngrohës 2023/2024.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se ky vendim është marrë në harmoni me parashikimet meteorologjike.

“Në harmoni me parashikimet meteorologjike për përmirësimin e motit, NP “Termokos” SH.A. ka marrë vendim, që të përmbyllë sot sezonin ngrohës 2023/2024. Pas 195 ditësh furnizim të mjaftueshëm dhe cilësor me ngrohje për rreth 30 mijë konsumatorë, përfundon një nga sezonat më të suksesshme ngrohëse, në kuadër të cilës ndërmarrja ka shënuar një varg arritjesh në të gjitha fushat”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje, Termokos ka bërë të ditur se rrjeti i ngrohjes është zgjeruar edhe për 317 objekte.

“Gjatë sezonit ngrohës 2023/2024 janë prodhuar rreth 328 mijë MWh energji termike apo 7% më shumë se sezonën e kaluar, nga KEK-u janë ekstraktuar 303.15 GËh energji, që në raport krahasues me sezonin ngrohës paraprak ka një rritje prej 14.6%, ashtu sikur edhe tek liferimi i energjisë termike, që ka qenë 270 GËh. Rrjeti i ngrohjes është zgjeruar edhe për 317 objekte banesore me 13.313 njësi banimi dhe me një sipërfaqe totale prej 1,122,538.00 m². Ky sezon ngrohës ka qenë fazë testuese para fillimit të aplikimit të metodës së re të faturimit sipas konsumit. Si rrjedhojë e testimeve, analizave e krahasimeve, që janë realizuar, tanimë mbi 1 mijë konsumatorë i kanë marrë faturat e para testuese sipas konsumit, bazuar në të cilat 33% e konsumatorëve si rezultat i kursimit të energjisë ngrohëse kanë pranuar fatura më të ulëta se ato që kanë marrë më parë”, thuhet në komunikatë.

Në fund thuhet se NP “Termokos” do të vazhdojë të angazhohet për modernizimin e mëtutjeshëm të shërbimeve dhe realizimin e projekteve të shumëta, që do të kenë ndikim të shumëfishtë pozitiv në mirëqenien e qytetarëve tanë.

Back to top button