Tërnava: Mbështesim kërkesat, por SBASHK-u të ndërpresë grevën

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, u bëri apel sindikatave të arsimit dhe shërbyesve civilë që të ndërpresin grevën dhe të rikthehen në vendin e punës. Përmes një konference për media, ai kërkoi nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës që sa më parë të miratojë Projektligjin për paga.
Myftiu Tërnava vlerësoi rolin e mësimdhënësve duke thënë se ajo është në premisat e misionit të shenjtë. Ai u shpreh se mësuesit përgjatë gjithë historisë së shqiptarëve kanë luajtur rol të rëndësishëm duke qenë shtylla të themelimit të mëvetësisë.
Kreu i BIK-ut u shpreh se mbështesin të gjitha kërkesat e mësimdhënësve, por i kërkoi Sindikatës së Arsimit (SBAShK) që të ndërpresin grevën dhe nesër të fillojë mësimi.
“Ne mbështesim kërkesën e mësimdhënësve të Kosovës për pagë të dinjitetshme, ngase mësimdhënësit kanë mision të shenjtë, janë arsimuesit, edukuesit dhe pedagogët e fëmijëve tanë. Thërras SBAShK-un që për hir të misionit që bartin mbi vete, që sot ta ndërpresin grevën dhe që nesër fëmijët tanë të kthehen në bankat e shkollës, aty ku e kanë vendin”, tha Tërnava.
Po ashtu, myftiu Tërnava pati një apel edhe për shërbyesit civilë duke iu kërkuar edhe atyre që të nisin punën.
“Thërras sindikatën e shërbyesve civilë që të ndërpresë grevën, të kthehen në vendin e tyre të punës dhe institucionet publike e shtetërore të zhbllokohen e të jenë në funksion të qytetarëve, e të shtetit. Të drejtat e tyre sindikale t’i kërkojnë përmes dialogut social duke pasur parasysh gjithnjë interesin e popullit tonë dhe vendit tonë”, vijoi Tërnava.
Myftiu apeloi të dy udhëheqësit e sindikatave që të tregohen të arsyeshëm, të urtë dhe situata të rikthehet normalitetit.
Kreu i BIK-ut i kërkoi Qeverisë dhe Kuvendit që të miratojnë sa më parë Projektligjin për paga, ndërsa tha se nuk është kohë përplasjesh por kërkoi unitet e urtësi.
“I bëj ftesë Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që sa më parë të miratojnë ligjin për paga, e në këtë kuadër, kërkesat e sindikalistëve të merren në konsideratë. Të gjithë jemi të bindur që nuk është koha për përplasje e barrikadime, por për unitet veprues, urtësi, mençuri e mbështetje për njëri-tjetrin. Mbes me shpresë që nesër nxënësit t’i kemi në bankat e shkollës, kurse shërbyesit civilë në krye të detyrës”, u shpreh Tërnava.
Shërbyesit civilë kanë në grevë që nga data 25 gusht. Atyre iu janë bashkangjitur edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) duke refuzuar që të nis mësimin. Megjithëse disa shkolla nëpër komuna të ndryshme tashmë kanë bojkotuar grevën duke hapur dyert për nxënësit./KP

Back to top button