Testohet Ura Ibrit, deklarohen nga Ministria e Infrastrukturës

Mbi Urën e Ibrit në Mitrovicë sot janë parë kamionë, pajisje të ndryshme dhe instrumente për matje gjeodezike. Ndërkohë që po zhvillohen këto testime, Qeveria në detyrë tha se nuk është në dijeni se kush është duke i realizuar ato.
Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, u shpreh se ministria kishte kryer testime të ngjashme vitin e kaluar dhe se për aktivitetet e fundit nuk ka ndonjë informacion zyrtar.
Durmishi në një deklaratë për KosovaPress tha se jo zyrtarisht po flitet se Bashkimi Evropian (BE) po kryen testime në këtë pjesë të veriut.
Siç tha ai është në rregull të testohet dhe të shihet rezultati.
“Nuk kam informacion, vetëm çka kam dëgjuar nëpër media. Ndonjë informacion zyrtar nuk e kemi. Ne testimet i kemi përfunduar si ministri në fund të vitit të kaluar. E kemi marrë raportin me rezultatet. Ura është stabile për çfarëdo ngarkese që mund të kalojë mbi urë. Jo zyrtarisht po flitet që BE-ja po bën testime aty. Në rregull, le ta testojnë, le ta shohin rezultatin”, tha Durmishi.
Ura mbi lumin Ibër, aktualisht mbetet e hapur vetëm për kalimtarët këmbësorë, ndërsa siguria mbi të mbikëqyret nga trupat italiane të KFOR-it.
Çështja e funksionalizimit të plotë të kësaj ure ka qenë temë e përhershme e diskutimeve në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilën edhe Bashkimi Evropian ka theksuar se duhet të trajtohet në tryezën e bisedimeve.
Pak ditë më parë, Lëvizja Vetëvendosje publikoi disa imazhe që paraqesin vizualisht se si do të dukeshin dy ura të reja pranë urës ekzistuese.