Tetova me vetëm 4 prokurorë, numër i madh i lëndëve!

 

 

Prokuroria e Tetovës, e cila sipas numrit të veprave penale renditet menjëherë pas asaj të Shkupit është duke punuar vetëm me katër pakurorë. Madje, për momentin janë vetëm 3 pasi njëri është në pushim mjekësor. Ushtrues i detyrës kryeprokuror i Prokurorisë së Tetovës Besir Aliu e pranon se numri i prokurorëve në bazë të padive penale është i vogël. Ai kërkon që urgjentisht të sillen prokurorë të rinj në Tetovë.

“Sa i përket numrit të prokurorëve mund të thuhet se është i pamjaftueshëm dhe duhet që urgjentisht të sillen prokurorë të rinj, pasi që prokuroria e Tetovës është një ndër prokuroritë me numër të lëndëve më të mëdha pas Shkupit. Gjatë vitit 2020 kemi pranuar rreth 1600 vepra penale kundër personave që janë dorëzuar nga policia dhe personat fizik”, tha Aliu.

Në anën tjetër avokati Ibraim Bajrami thotë se për shkak numrit të vogël të prokurorëve stërzgjaten lëndët ndërsa hetimi nuk është adekuat.

“Me kompetencë mund të iu them se në sistematizimin e vendeve të punës për prokurorët e Tetovës janë paraparë 11 prokurorë dhe dyfishin e vendeve të punës për bashkëpunëtor profesional. Pak kohë më parë në prokurorinë e Tetovës funksional kanë qenë vetëm dy prokurë edhe atë shefi i prokurorisë dhe një prokurorë tjetër. Një prokuror ka pasur pushim mjekësor dhe një për shkaqe shëndetësore ka abstenuar nga puna që nga katër kanë punuar dhe kjo ndikon në cilësinë e procedurës hetimore, ndikon në vjetërsimin lëndëve penale që në mënyrë të drejtpërdrejt i cenohen të dyshuarit në procedurë hetimore”, theksoi Bajrami.

Por çka sjell mungesa e prokurorëve për të dyshuarit e veprave penale?

“Ndikon në masën e paraburgimit në grumbullimin e fakteve dhe provave për vërtetimin gjendjes faktike ndikon edhe në ecurinë e procesit gjyqësor, kjo mungesë ndonjëherë shkon në favor të të dyshuarve , por ndonjëherë i dëmton se palët në këtë proces gjyqësor nuk mund të jenë të përgatitur të prezantojnë lëndën në formë cilësore dhe profesionale dhe mbrojtja në këtë rast e shfrytëzon këtë hendikep të prokurorisë në maksimum”, potencoi Bajrami.

Në bazë të dhënave zyrtare të publikuara në ueb faqen e gjykatës themelore të Tetovës, gjatë vitit 2019 në gjykatën e Tetovës vetëm në sektorin penal janë pranuar 23.606 lëndë.

Në Manastir në bazë të të dhënave në ueb faqen e prokurorisë publike të Maqedonisë së Veriut ka 7 prokurorë të punësuar, ndërsa në Prilep janë gjashtë. Po kaq janë edhe në Veles, ndërsa numri i lëndëve është shumë me i vogël se në prokurorinë publike të Tetovës./TV21

Back to top button