Thaçi e Haradinaj kujtojnë Bajram Rexhepin

 

Janë bërë tri vjet që kur u nda nga jeta ish-kryeministri i parë i Kosovës në kohën e pasluftës, Bajram Rexhepi.

Në tre vjetorin e vdekjes së tij, e kanë kujtuar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Kryeministri i parë i Kosovës së pasluftës, BAJRAM REXHEPI, ishte një figurë shembull e patriotizmit, i cili nuk e ndali asnjëherë kontributin për lirinë, pavarësinë dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës. Bajram Rexhepi ishte intelektual, humanist, diplomat dhe politikan shumë i vendosur”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij “Facebook”.

Tutje ai ka shkuar se Rexhepi ka dhënë kontribut të madh edhe në luftë.

“Ai dha kontribut shumë të madh në vijën e parë të frontit të luftës, duke shpëtuar qindra jetë të ushtarëve të UÇK-së dhe duke iu mundësuar atyre që të ktheheshin sërish në istikamet e luftës për mbrojtjen e atdheut. Ishte figurë unifikuese në momentet më të ndjeshme të politikës sonë të brendshme pas çlirimit, duke bashkëpunuar me të gjitha subjektet politike si kryeministër i parë i Kosovës. Bajram Rexhepi dha kontribut të jashtëzakonshëm edhe për vendlindjen e tij, Mitrovicën, të cilën e udhëhoqi shumë vite me radhë. Angazhimin dhe përkushtimin për fuqizimin e shtetit të Kosovës, Bajram Rexhepi nuk e ndali në asnjë moment. Ishim së bashku, si në luftë, ashtu edhe në paqe! Së bashku fituam shumë beteja, deri para tre vjetësh kur fatkeqësisht humbi betejën me sëmundjen e rëndë, duke u ndarë vetëm fizikisht prej nesh. Kontributi, trashëgimia politike dhe patriotike që Bajram Rexhepi ka lënë për brezat e ardhshëm do të jetojë përgjithmonë! Prehu në paqe, miku im i paharruar”, ka shkruar Thaçi.

Për kontributin e Bajram Rexhepit për vendin e ka rikujtuar edhe Ramush Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se ai mbeti në histori si një prej mjekëve të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Bajram Rexhepi iu përgjigj thirrjes së Atdheut, e mbeti në histori si një prej mjekëve të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai pati guximin të merrte përgjegjësi në rrethana aspak të lehta, kur vendi i sapo dalë nga lufta po përballej me sfida të shumta, veçanërisht në ndërtimin e institucioneve të para demokratike. Si personalitet, u shqua për fisnikërinë, përkushtimin e profesionalizmin e tij. Nuk do e kujtojmë vetëm si kryeministër, por si një shqiptar të madh, kontribues për liri dhe ndërtues i paqes në vend”, ka shkruar Haradinaj.

Në prill të 2017, ish-kryeministri u shtrua në QKUK për shkak të një sulmi shëndetësor në organet vitale, ndërsa më pas është dërguar në Turqi për shërim jashtë vendit. Pas një beteje prej pesë muajshe me sëmundjen, Rexhepi ndërroi jetë më 21 gusht 2017 duke lënë pas vetes bashkëshorten dhe vajzën./21Media

 

Back to top button