Thaçi e Hoti kujtojnë komandant Kumanovën

 

Në 22 vjetorin e rënies së komandant Kumanovës, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se Kumanova dhe bashkëluftëtarët e tij të guximshëm ishin përherë në ballë të betejave për liri dhe se heroizmi i tyre ishte burim frymëzimi për ushtarët e UÇK-së.

“Nderime të përjetshme për Ismet Jasharin – Kumanovën dhe për bashkëluftëtarët e tij, Habib Zogajn, Nuhi Mazrekun, Gani Kastratin dhe Afrim Buçajn, që ranë heroikisht më 24 dhe 25 gusht 1998, duke e mbrojtur atdheun. Komandant “Kumanova” dhe bashkëluftëtarët e tij të guximshëm ishin përherë në ballë të betejave për liri dhe heroizmi i tyre ishte burim frymëzimi për ushtarët e UÇK-së. Në nderim të jetës dhe veprës së heroit Ismet Jashari, brigada 121 e Zonës Operative të Pashtrikut me krenari e barti emrin e tij deri në përfundimin e luftës”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij “Facebook”.

Nderime ndaj veprës së komandantit Kumanova përmes “Facebook-ut” ka shprehur edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

“Sot bëhen 22 vite nga rënia e Heroit të Kosovës, Ismet Jashari – Kumanova. Lufta jonë ishte dhe mbetet e drejtë, pasi që ishte luftë për liri dhe pavarësi. Vepra e heroit Ismet Jashari – Kumanova do të jetoj përherë dhe mbetet udhërrëfyes për një të ardhme të ndritur dhe të sigurt për vendin tonë”, ka shkruar Hoti.

Sot mbushen 22 vjet nga rënia e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari – Kumanova./21Media

Back to top button