Thaçi i përgjigjet Vuçiqit për masakrat në Kosovë
“Politikat serbe të gjenocidit nuk mund të mbrohen”
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar pas deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili e quajti masakrën e Reçakut “një fabrikim”.
Thaçi përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare, “Twitter” ka thënë se paqja, pajtimi, drejtësia nuk mund të ndërtohet bazuar në mohimin e krimeve
“Disa zyrtarë nga Serbia mohojnë disa nga krimet më të rënda kundër civilëve që ndodhën në Evropë, sikurse ishte Reçaku, të konfirmuara edhe nga Gjykata e Hagës për krimet e luftës në ish- Jugosllavi. Politikat serbe të gjenocidit nuk mund të mbrohen”, ka shkruar Thaçi.
I see officials from #Serbia denying some of the worst crimes against civilians that happened in Europe, confirmed by ICTY, like #Reçak. Serbian genocidal policies cannot be defended. They must be denounced. Peace, reconciliation, justice cannot be built based on denying crimes.
— Hashim Thaçi (@HashimThaciRKS) December 5, 2019
Lidhur me këtë ka reaguar edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se urrejtja patologjike e Vuçiqit ndaj shqiptarëve, po dëshmohet edhe me deklarimin e tij të fundit.
Pas dënimit me dy vjet burg të ish ministrit të Administratës dhe Publikut Lokal në Kosovë, Ivan Todosijeviq për shkak të veprës penale nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, kishte reaguar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i cili masakrën e Reçakut po ashtu e ka quajtur “fabrikim”.
“Të gjithë anëtarët e Listës Serbe do të përsërisin të njëjtën, edhe unë e përsëris tani – krimi në Reçak është fabrikuar, ku gjithçka ka falsifikuar ai mashtruesi botëror, hajni dhe vagabondi William Walker”, ka thënë Vuçiq.
Më 15 janar 1999, në Reçak u vranë e u masakruan 45 shqiptarë të paarmatosur./21Media