Thaçi: Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka u vranë nga segmente të shërbimit sekret jugosllav

Atentat në Gjermani

38 vjetorin e vrasjes së vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekës, presidenti i vendit, Hashim Thaçi i ka kujtuar duke thënë se edhe pas 4 dekadash ky krim ende nuk është ndriçuar.

17 janari i vitit 1982, është dita kur u vranë në një atentat tre veprimtarë të shquar të lëvizjes kombëtare.

Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, para 38 viteve u vranë nga segmente të shërbimit sekret jugosllav. Ishte një goditje e rëndë për lëvizjen patriotike, si jashtë, ashtu dhe brenda Kosovës, pikërisht kur po bashkërendoheshin grupet politike në një front të përbashkët. Edhe pas katër dekadave ende nuk është zbardhur ky krim i kryer në Gjermani”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij zyrtare “Facebook”.

Në këtë përvjetor kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka thënë se 17 janari i vitit 1982, nuk ishte datë e vdekjes për ta, por dita e përjetësisë së tyre.

“Ata gjithmonë na vranë në prita si qyqarët. Në tentim për të vrarë përpjekjet për liri, të shuanin shkëndijat e kryengritjes që po afrohej, të pabesët qëlluan Jusuf Gërvallen, Kadri Zeken e Bardhosh Gërvallen. Ata ranë, por lanë trashëgim te mijëra të tjerë, planet e lirisë. Ata ishin vet arkitektët e saj”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë. Nga autoritet shtetërore gjermane ishte lajmëruar se vrasës të panjohur kanë vrarë tre jugosllavë dhe se ky ishte kulminacion i ri në luftën e fshehtë në të cilën agjentët e sigurimit jugosllav dhe kundërshtarët e pushtetit luftonin mes tyre./21Media

Back to top button