Thaçit i largohet një avokat nga ekipi mbrojtës në Hagë
Avokati Samuel Blom-Cooper nuk do të jetë më avokat i Hashim Thaçit në Gjykatën Speciale në Hagë.
Avokati kryesor i Thaçit, Gregory Keohe, ka bërë të ditur se ndërprerja e kontratës së Bloom Cooper do të bëhet pa efekt të kundërt në interesat e Thaçit.
“Më 28 tetor 2021, avokati z. Gregory Kehoe, informoi Zyrën e Mbrojtjes se z. Blom-Cooper i ka pushuar shërbimet si bashkë-avokat i z. Thaçi. Në bazë të nenit 18(6) të Direktivës për avokatin, avokati informoi më tej Zyrën e Mbrojtjes se ndërprerja e kontratës së z. Blom-Cooper do të realizohej pa efekt të kundërt në interesat e z. Thaçi dhe kohëzgjatjen e procedures”, ka thënë ai.

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre./21Media