​Themelohet Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës

Është themeluar Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës, i përbërë nga diplomatë të cilët kanë përfaqësuar Kosovën në shtete të ndryshme të botës. I njëjti ka për qëllim të ofrojë mbështetje dhe këshilla për politikën e jashtme të vendit.

Këshilli do të kryesohet nga ambasadori i parë i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu, i cili tha se qëllimi kryesor i tyre është që të jenë një shtyllë mbështetëse ndaj politikës së jashtme të vendit.

“Si këshill ne do të ofrojmë shërbimin tonë, mbështetur në përvojat tona individuale dhe kolektive për të qenë një shtyllë mbështetëse ndaj politikë sonë të jashtme, pa pasur qëllim vendimmarrës në kuptimin e krijimit të politikë së jashtme të Kosovës. Kjo është një organizatë mbi partiake që vepron në baza vullnetare duke ofruar shërbimet e veta falas”, tha ai.

Themelimin e këtij këshilli e përshëndeti edhe ish presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

“Për mua është një surprizë e mirë që ju jepni këtë lajm për formimin e Këshillit të Ambasadorëve. Ky mekanizëm mund të jetë i dobishëm, gjithmonë në kuptimin mbi partiak që i duhet shtetit. Unë kam pak emocione për këtë moment, pasi po shoh shumicën e njerëzve që kam dekretuar për ambasadorë”, tha ai.

Në anën tjetër, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, tha se iniciativa të tilla i ndihmojnë politikës së jashtme të Kosovës.

“Ambasadorët, ata që i kanë shërbyer me përkushtim vendit të vet sot nuk dorëzohen, por vazhdojnë edhe më tutje me qenë në shërbim të vendit. Por tani me një mekanizëm të ri, Këshillin e Ambasadorëve të Kosovës. Besoj se ndonjëri prej jush prapë duhet t’i kthehet shërbimit, pasi e keni dëshmu se jeni të dobishëm për vendin dhe politikën e jashtme”, tha ai.

Në ceremoninë e themelimit të Këshillit të Ambasadorëve mori pjesë edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili tha se Kosovës i duhet një politikë e jashtme më dinamike dhe reprezentative.

“Kjo iniciativë do të jetë shumë e rëndësishme për të ndihmuar një politikë të jashtme më dinamike, reprezentative e cila jo vetëm që do t’i merr parasysh zhvillimet rajonale, por edhe ato kontinentale dhe globale”, deklaroi ai.

Pjesë e këtij organizimi ishin edhe ish-bartës të tjerë të institucioneve.

Back to top button