​Themelohet Oda Ekonomike Kosovare-Bullgare

Në Sofje është mbajtur ceremonia zyrtare e themelimit të Odës Ekonomike Kosovare-Bullgare (KBCC). Në ngjarjen që shënon hapin historik në marrëdhëniet mes Bullgarisë dhe Kosovës morën pjesë diplomatë, sipërmarrës dhe akademikë.

Kryetari i Bordit të KBCC-së Tomislav Tsolov tha se Oda do t’u japë zë të fortë bizneseve në komunikimin e tyre me institucionet në të dyja vendet. Qëllimi i Odës do të jetë promovimi dhe përkrahja e aktiviteteve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë.

Ish-ministri bullgar i Punëve të Jashtme Solomon Passy shprehu mbështetjen për KBCC. Ai u zotua se si anëtar i Odës do të vazhdojë të punojë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Ambasadori i Kosovës Delfin Pllana tha se pret që organizata të kthehet në një platformë bashkëpunimi, e cila do të plotësonte nevojat e bizneseve. Pllana shtoi se KBCC është arritja më e madhe e turneut të tij këtu dhe e quajti atë një element kyç në marrëdhëniet e mira diplomatike Bullgari-Kosovë.

Në këtë aktivitet, zëvendësministrja e Jashtme Elena Shekerletova i dhuroi Pllanës Distinktivin e Nderit të Degës së Artë të Dafinës së Ministrisë së Jashtme për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin dhe thellimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Zëvendësministrja kosovare e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, tha se partneritetet ekonomike janë forca shtytëse në mes të bizneseve dhe njerëzve në botën e sotme gjeopolitike. Ajo tha se pret arritje të mëdha nga kjo Odë.

Back to top button