Themelohet Qendra Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Ferizaj

Nënshkrimi i këtij memorandumi do të ndihmojë që njohuritë teorike të vihen në praktikë

Ministria e Inovacionit dhe komuna e Ferizajt kanë nënshkruar memorandumin për hapjen e Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në këtë komunë, qendër kjo e cila do të jetë vendi ku do të takohen dija dhe biznesi në një vend.

Nënshkrimi i këtij memorandumi është bërë përmes një ceremonie, ku u tha se kjo qendër do të ndihmojë që njohuritë teorike të vihen në praktikë.

Ministri i Inovacionit Besim Beqaj, tha se hapja e kësaj qendre është dëshmi se Kosova po kalon nga një nivel ekonomik i bazuar në resurse natyrore, në një nivel ku dija dhe potenciali human janë promotor të zhvillimit.

“Jemi sot këtu për të shënuar një fillim të ri për qytetin e Ferizajt dhe Qeverinë e Kosovës. Pata nderin që me deputetn Reqica të shëtis dhe të ndjej zhvillimin dhe zgjerimin e këtij qyteti. Ministria për Inovacion dhe Ndërmarrësi ka për qëllim që të jetë qendër e tërë rajonit për ndërmarrësi”, tha Beqaj.

Gjithashtu Beqaj bëri të ditur se më 1 janar të vitit të ardhëm në Prizren do të themelohet Parku për Inovacion, me sipërfaqe prej 39 hektarësh.

Kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu tha se ndjehet i lumtur që po sot u finalizua projekti për Qendrën e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Ferizaj, projekt i cili sipas tij, krijon potencial të jashtëzakonshëm të punësimit përmes përgatitjes së kuadrove adekuate.

Sipas tij, investimet në këto projekte janë dëshmi e qartë e agjendës ekonomike për zhvillim të vendeve të punës.

“Kjo datë paraqet fillimin e investimeve në qeverisjen time. Ferizajt po i shtohet një aset shumë i rëndësishëm i cili kaherë ka munguar”, tha ai.

Ndërsa prorektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara, Afrim Loku, tha se ky projekt është më i rëndësishmi në komunën e Ferizajt.

Back to top button