Theresa May bënë votat për qeverinë
Qeveri e re me ndihmën e unionistëve të Irlandës së Veriut
Kryeministrja britanike, Theresa May tha se do të krijojë një qeveri të re me ndihmën e unionistëve të Irlandës së Veriut me qëllim që të garantojë siguri politike dhe të udhëheqë Britaninë në bisedimet me Bashkimin Evropian për të siguruar një marrëveshje të suksesshme për Brexitin.
May i kërkoi Mbretëreshës Elizabeth leje për të krijuar një qeveri të re pas dështimit të papritur në zgjedhje që bëri që partia e saj konservatore të humbasë shumicën në Parlament, vetëm 10 ditë para fillimit të bisedimeve mbi daljen e Britanisë nga blloku evropian.
“Do të krijoj tani një qeveri që të mundë të garantojë siguri dhe të udhëheqë Britaninë në këtë kohë kritike për vendin tonë. Kjo qeveri do ta udhëheqë vendin në bisedimet thelbësore për Brexitin, që nisin vetëm pas 10 ditësh dhe do të zbatojë vullnetin e britanikëve duke e nxjerrë vendin nga bashkimi evropian. Do të punoj për të mbrojtur vendin dhe të bëjë ndryshimet që unë kam prezantuar pas sulmeve tronditëse në Londër dhe Manchester, duke goditur ideologjinë e ekstremizmit islamik dhe të gjithë ata që e mbështesin atë e duke i dhënë policisë dhe autoriteteve fuqitë që u duhen për ta mbajtur vendin të sigurt”, tha May
Unionistët demokratë, që mbështesin qëndrimin e Irlandës së Veriut pjesë e Mbretërisë së Bashkuar dhe kanë qëndrime konservatore ndaj çështjeve sociale, rritën numrin e vendeve të tyre në 10 në zgjedhjet e së enjtes.