Analistët parashikojnë rezultate të përafërta në mes partive

Analistët politik vlerësojnë se kjo do të jetë një garë interesante, nga e cila mund të dalin rezultatet befasuese

Analistët duke marrë parasysh faktin se PDK-AAK-Nisma dhe LDK-AKR-Alternativa, do t’i ketë dy grupacione të ndara me elektorat. Kurse, VV do ta ketë në plotni elektoratin e vet, rezultatet përfundimtare do të jenë të përafërta, madje analistët nuk e përjashtojnë edhe ndonjë befasi.

Derisa sot përfundon fushata zgjedhore, analistët politik vlerësojnë se kjo do të jetë një garë interesante, nga e cila mund të dalin rezultatet befasuese.

Analisti Imer Mushkolaj ka pohuar për KP se pas zgjedhjeve mund të ketë bllokadë dhe se nuk do të jetë i lehtë krijimi i institucioneve, pasi që asnjëri subjekt, nuk do të arrijë të krijojë Qeverinë, meqenëse nuk do ta ketë shumicën e mjaftueshme. “Sa më shumë që po ofrohet dita e zgjedhjeve, natyrisht se edhe parashikimet po bëhen gjithnjë e më të vështira, duke e parë edhe rrjedhën e fushatës, duke e parë dhe mobilizimin e subjekteve të veçanta politike në fushatë, kështu që unë besoj që rezultati do të jetë i atillë, që secili subjekt që do të fitojë më së shumti vota, nuk do të jetë në gjendje ta krijojë Qeverinë, për shkak se nuk do ta ketë shumicën e mjaftueshme. Në anën tjetër shoh probleme edhe sa i përket pastaj kushdo qoftë që do të dal subjekti i parë. Sa i përket përfshirjes së serbëve në institucione, nuk është si në zgjedhjet e kaluara situata, kur ka qenë Lista serbe njëfarë forme, ata kanë shkuar bllok dhe janë bërë bashkë me koalicionin, respektivisht me partnerët e koalicionit nga partitë shqiptare. Kësaj here kemi përçarje të thella në mesin e serbëve të Kosovës, kështu që edhe kjo është problematike. Fatkeqësisht unë pres të ketë bllokadë në kuptimin që nuk do të jetë i lehtë krijimi i institucioneve”, tha ai.

Ndërsa thotë se nuk përjashtohet mundësia që koalicioni PDK-AAK-Nisma të përçahet. “Duke pasur parasysh pastaj dhe mënyrën se si janë krijuar këto koalicione, dy koalicionet ai rreth PDK-së dhe ai rreth LDK-së, absolutisht të paktën sa i përket koalicionit të PDK-së, nuk duhet përjashtuar mundësia që të përçahet….Përnjëmend gjithçka është vështirë për t’u parashikuar, mund të ketë befasi natyrisht, nëse në fillim të fushatës kemi thënë teknikisht koalicioni rreth i PDK-së është në përparësi kogja të madhe me vota, duke u bazuar në numrin e votave, që janë marrë në zgjedhjet e kaluara. Tash nuk mund të themi ashtu për shkak se ka pasur lëvizje të shumta gjatë fushatës, por në anën tjetër, nuk duhet me harru që dhe në këtë tre vjetshin e koalicionit PDK-LDK kanë ndodhur gjëra të shumta, në kuptimin e atyre që duhet me ndiku tek njerëzit, për me vendos se për cilën parti të votojnë, por me këto koalicione janë shkaktuar pakënaqësi po ashtu dhe në mes të militantëve të këtyre partive”, tha ai.

Edhe analisti Behlul Beqaj ka pohuar  se kësaj radhe nga këto zgjedhje mund të ketë dhe befasi politike, si rezultat i konfuzionit dhe zhgënjimit me partitë, të cilat tash e sa vite kanë qeverisur vendin. Beqaj thotë se kjo mund të ndodh për shkak se në garë janë partitë që janë konsumuar dhe Vetëvendosja, e cila asnjëherë nuk ka qenë në pushtet. “Rezultatet do të jenë mes elektoratit, i cili ndoshta do të jetë i kënaqur me partitë, të cilat kanë qenë 17 vjet në pushtet dhe elektoratit i cili është i pakënaqur me këto parti dhe mund të votojnë VV si alternativë, e cila mund t’i jap shpresë për ata të cilët e kanë humbur shpresën tek partitë, të cilat premtimet të cilat i kanë dhënë masive, nuk i kanë përmbushur, dhe në këtë kuptim mendoj se për faktin që blloku i djathtë, do t’i ketë dy grupacione të ndara me elektorat. Kurse, VV do ta ketë në plotni elektoratin e vet, rezultatet përfundimtare do të jenë të përafërta, dhe nuk e përjashtoj mundësinë që në kuadër të një konfuzioni total, që është krijuar dhe zhgënjimit masiv, posaçërisht të rinjve në Kosovë të ndodh ndoshta edhe ndonjë befasi politike”, tha ai.

Beqaj nuk e përjashton as mundësinë që pas këtyre zgjedhjeve, të shkohet menjëherë në zgjedhje të reja. “Mes këtyre subjekteve politike dhe brenda subjekteve politike ka humbur totalisht besimi mes tyre dhe ndër tyre. Dhe në anën tjetër ka filluar po trashëgohet dhe po vazhdon dyshimi se kush kujt do t’ia përgatit kurthin e radhës. Në një situatë të një disponimi të kurtheve të mundshme, të mashtrimeve të mundshme, unë mendoj se do të jetë shumë vështirë të krijohet një koalicion i radhës, andaj unë nuk e përjashtoj mundësinë që pas këtyre zgjedhjeve, të shkohet menjëherë në zgjedhje të reja. Kjo ndoshta do të jetë një humbje e re financiare, por do të jetë një fitore, në kuptimin e vetëdijesimit politik të qytetarëve. Fakti se mund të shkohet pas këtyre zgjedhjeve në zgjedhje të reja, nuk mund të cilësohet vetëm si humbje në kuptimin e mbështetjes ndërkombëtare apo elektoratit, përkundrazi është një fazë, kur elektorati fillon të vetëdijesohet politikisht dhe nuk del siç ka ndodhur deri tash për të votuar, por del për të zgjedhur subjektin politik dhe liderin politik”, tha ai.

Back to top button