Kaloni te përmbajtja kryesore

Thirrje punëdhënësve që të krijojnë ambiente të sigurta pune

Dukolli: Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar Këshillin Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë

Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Çerkin Dukolli, sot mori pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare për Siguri dhe Shëndetin në Punë, me ç’rast u bëri thirrje të gjithë punëdhënësve që të krijojnë ambiente të sigurta pune, punëtoret të kujdesen për sigurinë e tyre dhe të tjerëve, e gjithsesi të përdorin pajisjet e duhura për siguri dhe mbrojtje në punët e tyre specifike.

Në fjalën e tij, Dukolli tha se kujdesi institucional për siguri dhe shëndet në punë, përveç që është obligim ligjor, mbi të gjitha është çështje humane, ngase kemi të bëjmë me ruajtjen e shëndetit dhe jetës së njeriut.

Ai poashtu në shënimin e kësaj dite të organizuar nga kompania ‘Sharr-cem’, ka nënvizuar se MPMS ka ndërmarr veprime të konsiderueshme në këtë drejtim.

“Rrjedhimisht kemi  harmonizuar legjislacionin nga kjo fushë me atë të BE-së,  kemi ndërtuar  trupat ekzekutive inspektuese dhe përtej saj  çdo vit po ndërmarrim  fushata vetëdijësuese, me qëllim që të informojmë palët për detyrimet që kanë në raport me aktet juridike të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë”, theksoi Dukolli.

Lidhur me masat konkrete në ruajtjen e shëndetit në punë, zëvendësministri i njoftoi të pranishmit se Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar Këshillin Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë, i cili në kompetenca të veta ka jo vetëm konstatimin e gjendjes, por edhe hartimin e politikave për përmirësimin e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe përcjelljen në vazhdimësi të gjendjes së sigurisë dhe shëndetit në punë të të punësuarve.

Dukolli ka inkurajuar Inspektoratin e Punës që të vazhdojë me punën në bazë të dispozitave ligjore, që përmes inspektimeve  në teren të mundësojnë zbatimin e plotë të legjislacionit në fuqi që rregullon të drejtat dhe detyrimet mbi  marrëdhënien e punës, por edhe sigurinë dhe shëndetin në punë.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button