Thomas-Greenfield konfirmohet ambasadore e SHBA-së në OKB

 

 

Senati amerikan konfirmoi të martën kandidaten e presidentit Joe Biden për Ambasadore në Kombet e Bashkuara, pasi kundërshtimet e disa republikanëve kishin vonuar emërimin e saj.

Linda Thomas-Greenfield u konfirmua me 78 vota pro dhe 20 kundër.

Ajo mori mbështetje dypartiake, përfshirë votat nga më shumë se 20 senatorë republikanë, midis tyre Lindsay Graham, Mitt Romney dhe udhëheqësi i pakicës Mitch McConnell. Edhe republikanët Bill Cassidy dhe John Kennedy nga shteti i saj, Luiziana, e mbështetën atë.

Ajo do të marrë rolin e ambasadores në Kombet e Bashkuara në një kohë kur kombet e botës duhet të thellojnë bashkëpunimin e tyre në luftën kundër [sëmundjes] COVID-19 dhe në luftën kundër ndryshimit të klimës”, tha udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Shumer.

Thomas-Greenfield ka kaluar dekada në shërbimin e jashtëm, duke përfshirë pozita të ndryshme në Liberi, Zvicër dhe Pakistan.

Ajo po ashtu ka kaluar disa vite si diplomate e lartë e Shteteve të Bashkuara për Afrikën dhe ka mbajtur një post të lartë në Zyrën e Popullsisë, Refugjatëve dhe Migracionit të Departamentit të Shtetit.

Thomas-Greenfield pritet të fillojë punën përpara se Shtetet e Bashkuara të marrin presidencën e radhës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në muajin mars./21Media

Back to top button