“Toka e Shpirtrave të Trazuar” nis rrugëtimin ndërkombëtar  

Shfaqja teatrore “Toka e Shpirtrave të Trazuar”, me autore Shqipe Malushi dhe regji të Zana Hoxhës, do të fillojë rrugëtimin ndërkombëtar më 12 mars me prezantim në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit të Vendeve të Ballkanit “Balkan Breeze”, që do të mbahet në Bursa, Turqi.
“Toka e Shpirtrave të Trazuar” do të prezantohet më 12 mars, 2023 nga ora 20:00 në teatrin shtetëror “Ahmet Vefik Pasha”.
Kjo shfaqje është një performancë e bazuar në poezitë e Shqipe Malushit, të cilat evokojnë kujtimet tona kolektive për mungesën e paqes dhe përballjen me luftën dhe konfliktin si një gjendje konstante për shoqërinë kosovare ndër shekuj e në veçanti ndikimin e saj në traumat tona ndër gjenerata. E shtrirë në një format unik eksperimental në shqip dhe anglisht, performanca e regjisores Zana Hoxha krijon një sinergji multidisiplinare përmes poezive imazhiste të Malushit, koreografisë bashkëkohore teatrore të Robert Nuhës, dhe dramaturgji të Shpëtim Selmanit, muzikës eksperimentale me elemente burimore dhe këndimit, si dhe video projeksioneve që krijojnë një narrativë të re të bazuar mbi kujtesën tonë kolektive.
“Toka e Shpirtrave të Trazuar” përmes akteve kronologjike përshkruan njërën ndër etapat më të rëndësishme të kosovarëve drejt asaj që e kishin ëndërruar ndër shekuj, lirisë.
Autore: Shqipe Malushi
Regjia: Zana Hoxha
Dramaturgjia: Shpëtim Selmani
Koreograf: Robert Nuha
Aktoret/ët: Donikë Ahmeti, Kushtrim Qerimi, Mikel Markaj, Zhaneta Xhemajli, Kaltrinë Zeneli, Edlir Gashi.
Kërcimtarë/e: Altina Binaku, Qendrim Makolli, Erëza Grajqevci, Patriot Osmani
Soliste: Urta Haziraj.
Videoprojeksionet skenike: Florian Canga
Tonist: Arben Aliu
Ndriçimi: Mursel Bekteshi
Mjeshtër skene: Rrahmon Mehmeti./21Media

Back to top button