Vendimi për vizat, Sejdiu: Shtetasit e Kosovës e duan vendin e vet dhe atë nuk e zbrazin

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka thënë se votimi i fundit në Këshillin Evropian në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën është një vendim historik. Sejdiu ka thënë se një vendim i tillë nënkupton një vlerësim nga institucionet e BE-së për progresin që ka bërë Kosova dhe se një gjë e tillë është meritë e të gjithë gjeneratave që kanë udhëhequr Kosovën.
“Një vendim historik për Kosovën Vendimi i Këshillit të Bashkimit Evropian i cili përbëhet nga ministrat e brendshëm të vendeve anëtare për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, është një vendim jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin tonë. Ky hap i ndërrmarë nga ky mekanizëm evropian është një vlerësim i fuqishëm për atë që Kosova dhe institucionet e saj e kanë dëshmuar me rezultate dhë përmbushje të kritereve të kërkuara, përkundër sfidave të mëdha me të cilat janë përballur”, ka thënë Sejdiu.
Sejdiu ka thënë se mundësia e lëvizjes së qytetarëve të vendit në gjithë Zonën Shengen, pa pasur nevojën e furnizimit me viza, në radhë të parë shprehë besimin në njerëzit e vendit tonë se do të respektojnë rregullat që parasheh BE-ja.
Ai tutje ka thënë se shtetasit e Kosovës e duan vendin dhe nuk e zbrazin.
“Po kështu, kjo nënkupton një hap para të lëvizjes së Kosovës sa përket anëtarësimeve të saj në mekanizmat e rëndësishëm evropian. Është kjo meritë e gjithë gjeneratave që kanë udhëhequr me Kosovën. Qëndrimi unanim i shprehur me miratimin e këtij vendimi, po kështu në thelb tregon për një konsideratë të re tani për tani në heshtje, të vendeve anëtare të BE-së të cilat ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Ky hap i vlerave të jashtëzakonshme për Kosovën, sigurisht sigurisht se do t’i vejë në binarë normal e të qëndrueshëm lëvizjet e lira të njerëzve tanë, pa qenë të detyruar që të ndërmarrin veprime të palejueshme dhe klandestine të ikjes nga vendi dhe të cilat veprime shpesh herë fatkeqësisht kanë dëmtuar imazhin e saj. Shtetasit e Kosovës e duan vendin e vet dhe atë nuk e zbrazin. Ju faleminderit BE për vendimin meritor! Urime Kosovë!”, ka shkruar Sejdiu në Facebook.

Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian i ka dhënë dritën e gjelbër liberalizimit të vizave për Kosovën. Rregullat e reja i lejojnë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë në BE pa viza për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180-ditore. Kjo do të aplikohet sapo ETIAS të hyjë në fuqi nga 1 janari 2024. Rregullat tani duhet të adoptohen nga Parlamenti Evropian para se të nënshkruhet dhe publikohet në gazetën zyrtare të BE-së.“Kosova ka bërë përpjekje të mëdha për të përmirësuar sigurinë dhe menaxhimin me migrimin dhe të bashkërendojë politikën e vizave me atë të BE-së. Shpresojmë se bashkëpunimi jonë në këto fusha do të vazhdojë të jetë i dobishëm”, ka thënë ministrja për Migrim e Suedisë, Maria Malmer Stenergard./21Media
Back to top button