​Toka në Manastirin e Deçanit, opozita: Qeveria të merr përgjegjësinë kryesore

Partitë opozitare kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës të merr përgjegjësinë kryesore sa i përket zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokën e Manastirit të Deçanit. Sipas tyre, zbatimi i këtij vendimi bëhet përmes Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe jo Komunës së Deçanit.

Në anën tjetër, nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje thonë se përkthimi i procesit të pronës te manastiri është në proces gjyqësor në Gjykatën Themelore. Sipas tyre, vendimi përfundimtar i themelores do t’i hapte rrugë zbatimit të vendimit të kushtetueses.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen, pa marr parasysh a u pëlqejnë ose jo.

“Vendimet e institucioneve tona duhet të zbatohen atëherë kur na pëlqejnë dhe atëherë kur nuk na pëlqejnë. Vetëm ashtu e reflektojmë një seriozitet si shtet edhe karshi partnerëve ndërkombëtar”, tha ai.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se zbatimi i këtij vendimi nuk është në kompetencë të Komunës së Deçanit, por të Agjencisë Kadastrale të Kosovës.

“Nuk është kompetencë e Komunës së Deçanit kjo çështje, është kompetencë e Agjencisë Kadastrale, sipas ligjit”, theksoi Gashi.

Qëndrim të njëjtë shfaqi edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

“Agjencia Kadastrale e ka detyrën dhe qeveria është ajo që i jep urdhër për këtë. Është një vendim i Gjykatës Kushtetuese dhe këtë vendim duhet të trajtojë ky institucion. Nuk ka mundësi që ne të diskutojmë vendime. Aleanca nuk i diskuton dhe trajton vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Pyetja jem për LVV është a është ka konkurron Kosova me u bë anëtare e Këshillit të Evropës apo Deçani, sepse Deçanit po dëshirojnë me ia lënë fajin”, tha ai.

Megjithatë, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se nuk ka informacion që ekzekutivi ka kërkuar nga Komuna e Deçanit të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese sa i përket Manastirit të Deçanit.

“Duhet të ketë një vendim përfundimtar nga Gjykata Themelore për procesin, i cili do të hap rrugë për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese nëse janë pjekur të gjitha kushtet… Institucionet që duhet të presin këtë janë jashtë Kuvendit, flasim për Komunën e Deçanit në këtë rast ose për Agjencinë Kadastrale të Kosovës”, deklaroi ajo.

Këto komente parlamentarët i bënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit. Para gazetarëve, ata folën edhe për procesin e zgjedhjeve në katër komunat veriore.

Back to top button