Topalli: Basha po manipulon garën, synon të grabisë PD-në
Topalli akuza Bashës
Ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli ka deklaruar se në 22 korrik nuk do të ketë garë për kryetarin e partisë.
Topalli ka dal para mediave për herë të parë pas humbjes së Partisë Demokratike, duke akuzuar Bashën se kërkon t’i imponojë PD një garë të re duke shkelur statutin e partisë.
“Ne kërkojmë respektim dhe vendimmarrje të forumeve drejtuese, sipas statutit. Të gjitha këto janë kushte të panegociueshme të procesit. Pa to në PD nuk ka dhe nuk mund të ketë garë. Sa më shpejt ta realizojë Basha ketë, aq më shpejt do vijë ringritja.”
Topalli ia ka bërë të qartë kryetarit Basha se në rast se nuk reflekton për të garantuar një proces zgjedhor të barabartë do të përballet me zemërimin e demokratëve.
“I bëj thirrje zotit Basha të ndërpresë menjëherë paligjshmërinë dhe pengmarrjen e partisë, përpara se të përballet me zemërimin dhe revoltën e demokrateve. Të kuptojë sa më shpejt se demokratët do dinë ta mbrojnë partinë e tyre. Unë u bëj thirrje të gjithë demokratëve të bëhemi bashkë, të mbrojmë partinë nga pengmarrja, të refuzojmë grabitësit.”
Sipas Topallit, Basha është përgjegjës për humbjen në zgjedhje e tashmë është përgjegjës për manipulimin e zgjedhjeve në PD.
“Zoti Basha është katastrofa e PD-së. Fal strategjisë së gabuar dhe taktikave elektorale të ngritura mbi glorifikimin e personalitetit të tij të rreme ai rrëzoi në gjunjë Partine Demokratike dhe i dha ndihmën më të madhe zotit Rama, bashkudhëtarit dhe mikut të orëve të vona të kësaj vere, për fitoren e tij dërrmuese. Rama i kërkoj marrëveshje që të behej timonier, Basha e desh aq shumë sa e bëri “kondotier”. Ringritja e PD-së dhe revanshi i saj politik fillon vetëm me largimin e zotit Basha. Demokratët e dinë shumë mirë këtë, prandaj zoti Basha kërkon me çdo kusht të manipulojë procesin duke shkelur brutalisht statutin e Partisë.”
Duke e cilësuar procesin zgjedhor anti-statutor dhe përpjekje për manipulimin, Topalli la të kuptohet se nuk do të garoje përball Bishës për postin e kryetarit të PD. Edhe Astrit Patozi e bëri të qartë se nuk hyn në këtë garë të parregullt, e duket se më 22 korrik do të përballen vetëm Lulzim Basha dhe Eduard Selami.