Totaj: Qeveria zero investime për Prizrenin, s’ka as bashkëpunim me pushtetin lokal

Qeveria e Kosovës gjatë vitit 2023 nuk ka realizuar asnjë investim kapital në Komunën e Prizrenit. Përveç kësaj, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj kritikon Qeverinë për mungesë bashkëpunimi me pushtetin lokal. Ai derisa thotë se kjo komunë ka shpenzuar mbi 80 për qind të buxhetit për investime kapitale, shton se për shkak të procedurave burokratike nuk është shpenzuar i tëri.

Totaj po ashtu shprehet i pakënaqur edhe me ndarjen e buxhetit për këtë vit. Sipas tij, kjo ndarje është bërë në mënyrë të padrejtë, dhe se për këtë komunë nuk ka rritje reale të buxhetit.

“Në qytet investimet kapitale që kanë ndodh prej burimeve të komunës, prej buxhetit tonë jemi në rregull, mirëpo qeveria asnjë investim nuk e ka bërë në Prizren, absolut. Tash e kemi pas një rast kur kemi filluar një gurë-themel për një çerdhe, faktikisht drejtoria komunale e arsimit ka aplikuar me një projekt, ne e kemi ndarë tokën kurse ministria do të bëjë investimin, mirëpo është investim i përbashkët, sepse vlera e tokës është më e madhe sesa vlera e ndërtimit. Por, qeveria të bëjë një investim me iniciativën e tyre në territorin e Komunës së Prizrenit vitin 2023 nuk ka ndodhë”, thotë Totaj.

I njëjti vlerëson se mungesa e komunikimit me ekzekutivin ndikon te rritja e performancës. Madje, ai thotë se qeveria ka tendenca të ndërhyjë edhe në autonominë financiare të komunave e cila është e garantuar me Ligjin për vetëqeverisje lokale.

“Kishte me qenë mirë sikur me nivelin qendror të kishim një bashkëpunim më të mirë. Kam takuar shumë ambasador të shteteve evropiane, të Amerikës, shumë udhëheqës të agjencive ndërkombëtare si USAID, GIZ e të tjera, mirëpo për fat jo të mirë me kryeministrin, me ministrat e qeverisë nuk kemi atë afërsi të komunikimit dhe të bashkëpunimit, dhe kjo nuk është diçka që duhet të krenohemi, por duhet të punojmë bashkërisht që të rrisim nivelin e komunikimit, sepse është interes publik dhe bashkëpunimi më i afërt i yni me qeverinë qendrore do të ishte element që ndikon në rritje të performancës edhe qeverisë sonë, e përfitimi shkon tek publiku, në këtë rast tek qytetarët e Komunës së Prizrenit. Por, nuk mund të krenohemi me një bashkëpunim shumë të mirë, bile nga ana e Qeverisë qendrore vazhdimisht ka tendenca që me ndërhy edhe në autonomi financiare të komunave e cila është e garantuar me Ligj për vetëqeverisje lokale dhe me ligj për financa publike, mirëpo po shpresojmë për ditë më të mira”, shprehet Totaj.

Totaj derisa thotë se janë shpenzuar 80 për qind e buxhetit për investime kapitale gjatë vitit të kaluar, potencon se, procedurat burokratike kanë ndikuar që mos të shpenzohet gjithë buxheti.

“Pritjet tona janë se ne do të kalojmë 80 për qindëshin e shpenzimeve kapitale…Do të ishte më mirë të shfrytëzohet i gjithi, mirëpo ka shumë procedura burokratike, ka shumë faktor limitues të cilët janë jashtë mundësisë së kontrollit tonë, megjithatë 80 për qindëshi është rezultat relativisht i mirë”, thotë ai.

I pari i kësaj komunë, shprehet i pakënaqur edhe me ndarjen e buxhetit që i është bërë kësaj komune për këtë vit. Sipas tij, ndarja buxhetore për komunat për vitin 2024 është diskriminuese.

“Niveli qendror dëmet buxhetore që i ka bërë nuk ka pas një qasje korrekte. Prej gjithë buxhetit të Kosovës për vitin 2024 veç 22.5 për qind shkojnë për gjitha komunat bashkë, pjesa tjetër do të mbesë tek qeveria. Kurse ndarja nëpër projekte në komuna për mua është e palogjikshme në qoftë se për Komunën e Shtimes ndahen më shumë mjete sesa për Prishtinën ose për Prizrenin. D.m.th ka pas një qasje diskriminuese ndaj komunave të mëdha që për mua është e palogjikshme, sepse ato mjete pavarësisht se kush është në pushtet i dedikohen qytetarëve dhe jo qeverisjes lokale të cilësdo komunë. Aty kemi pakënaqësi serioze e po ashtu edhe argumente…04:22 Rritje reale nuk ka, pra, ka rritje nominale, mirëpo kjo rritje nuk tregon fuqi më të madhe blerëse të këtij buxheti. Ne e kemi buxhetin e tërësishëm rreth 65 milion, mirëpo kur ke parasysh inflacionin dhe sa është rrit buxheti, ndikojnë në rënien e fuqisë blerëse të mjeteve financiare”, vijon Totaj.

Duke folur për projektet e realizuara gjatë vitit të kaluar, ai tregon për projektet që do realizojnë këtë vit.

“Ne në vitin 2022 e kemi miratuar me kohë buxhetin dhe e kemi krijuar si rezultat i nevojave të qytetarëve dhe kemi filluar më herët me tenderimin e projekteve tona tek investimet kapitale, Drejtoria e Shërbimeve Publike e kemi pas pjesën më të madhe të investimeve kapitale diku 70 për qind e buxhetit. Kemi pas shumë punë rreth shtrimit të rrugëve me asfalt, rregullimit të disa rreth rrotullimeve në qytet, rregullimit të trotuareve, investimeve në mirëmbajtje apo në krijimin e rrjeteve për ndriçim publik, dhe shumë të tjera të cilat punime disa kanë përfunduar, disa janë në vazhdim e sipër…Do të fillojmë me renovimin e Shatërvanit ku përfshihet rregullimi i Kalldrëmit, futja e kabllove elektrike në tokë, pra janë investime të kësaj natyre në infrastrukturë. Janë disa projekte të rëndësishme diku afërsisht 200 projekte kemi pas gjatë viti 2023…Vitin 2024 presim të fillojmë implementimin e projektit për teleferikun në Kala… Presim të bëhet tenderimi dhe implemtimimi i projektit të teleferikut, përfundimi i renovimit të Shtëpisë së Kulturës dhe pak punë na ka mbetur në përfundimin e komplet të renovimit të qendrës sportive, dy stadiume të futbollit i kemi në bashkëpunim me Federatën e Futbollit, por ka edhe projekte tjera që financohen prej subvencioneve”, shton Totaj.

Në fund, Totaj derisa uron që ky vit të jetë më i mirë, shprehet i kënaqur me liberalizimin e vizave për vendin, porse ka një mesazh për të rinjtë.

“Procesi i liberalizimit të vizave është një çështje e mirë që po i ndodh Kosovës, sepse bëhet një hapje e një dere të madhe ku të rinjtë kosovar mund të lëvizin lirshëm dhe fillojnë të udhëtojnë në Evropë, sepse ne jemi qytetarë të saj. Nuk mendoj se do ta ketë për pasojë ikjen e të rinjve nga Kosova, lëvizja e popullsisë është një proces normal, mirëpo lëvizje masovike nuk mendoj se mund të ketë. Pres që me zhvillimin e Kosovës do të ketë më shumë të rinj të cilët kthehen, sepse më mirë se në Kosovë askund nuk është”, përfundon Totaj./kp

Back to top button