Avokati i Sanduloviqit për deklaratën e Vulinit: Gënjeshtër, po e mbulon Vuçiqin
Çedomir Stojkoviq, avokati i Nikola Sanduloviqit, ka thënë se deklarata e ish-drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin, se ka dhënë urdhrin për ndalimin e Sanduloviqit, është gënjeshtër.
Sipas Stojkoviqit, Vulini po e merr përgjegjësinë për ta mbuluar presidentin Aleksandar Vuçiq.
Stojkoviq ka thënë se Vulini nuk mundi ta urdhëronte ndalimin e Sanduloviqit pasi Vuçiqi i tha të jepte dorëheqje dy muaj para se Sanduloviq të vendoste lule në Prekaz.
“Vulin nuk e urdhëroi arrestimin sepse as nuk mundi ta urdhëronte – sepse Aleksandar Vuçiq i tha të jepte dorëheqjen dy muaj para se Sanduloviq të postonte në rrjetin social X për vendosjen e luleve mbi varret e shqiptarëve. Kjo është një deklaratë e dakorduar mes Aleksandar Vuçiqit dhe Aleksandar Vulinit, sepse karriera politike e Vulinit në Serbi ka përfunduar në marrëveshje me Vuçiqin, dhe tani ai mund (në mënyrë të rreme) të marrë përgjegjësinë për gjithçka që i shkakton dëm ndërkombëtar regjimit të Aleksandër Vuçiqit”, ka shkruar Stojkoviq në Twitter.
Politikani opozitar serb Sanduloviq u ndalua nga BIA të mërkurën. Ai është rrahur dhe aktualisht po trajtohet në një spital ushtarak. Krerët e institucioneve të Kosovës kanë kërkuar reagim ndërkombëtar për rrahjen e Sanduloviqit.
Vulini dha dorëheqje nga kreu i BIA-s pasi u fut në listën e zezë të SHBA-së vitin e kaluar.