​Trafiku Urban rikthen operimin normal vetëm pasi të transferohen mjetet financiare

Kompania Trafikut Urban ka bërë të ditur de do të rifillojë operimin normal vetëm pasi të shlyhen obligimet financiare ndaj furnitorëve.

Në një postim në Facebook thuhet se megjithëse sot Kuvendi Komunal Prishtinë ka votuar bartjen e mjeteve buxhetore nga viti 2024, këto mjete mund të bëhen të përdorshme vetëm pas transferimit të tyre nga institucionet qendrore.

“Deri në realizimin e këtij hapi, Trafiku Urban mbetet në pamundësi financiare për të shlyer obligimet ndaj furnitorëve, e rrjedhimisht edhe për të rifilluar operimin normal. Për këtë arsye e shohim të arsyeshme dhe të domosdoshme që të gjitha institucionet përgjegjëse, përfshirë ministrinë përkatëse, të përshpejtojnë të gjitha procedurat e transferimit, në mënyrë që ndërmarrja të mund t’i kthehet menjëherë shërbimit publik”, thuhet në postim.

Kompania njofton qytetarët se për të gjitha biletat mujore të paguara, ata do të kompensohen ditët në të cilat shfrytëzuesit nuk kanë mundur të përdorin shërbimin e transportit.

Trafiku Urban dhe operatorët e tjerë privatë të transportit urban kanë hyrë në grevë nga dita e hënë për shkak të mos pagesave. Komuna e Prishtinës ka fajësuar Ministrinë e Financave për bllokimin e mjeteve buxhetore. Kjo e fundit ka bërë të ditur se Thesari të premten e kaluar ka alokuar mjetet për dhjetor.

Në lidhje me çështjen e bllokimit të buxhetit komunal të Prishtinës gjatë ditës ka pasur akuza e kundërakuza ndërmjet LDK-së dhe LVV-së.

Ndërsa ministri në detyrë i Financave Hekuran Murati është mburrur se është LVV-ja ajo që e zhbllokon Prishtinën dhe është LDK-ja ajo që e bllokon, kjo e fundit ka reaguar duke e akuzuar partinë e Albin Kurtit për mashtrim politik të qytetarëve para zgjedhjeve të dhjetorit.

Back to top button