Traileri i filmit “Blonde”
“Blonde” titullohet filmi i ri biografik dedikuar për Marilyn Monroe, trailerin e të cilit e lansoi Netflix.
Ky film është me regji të Andrew Dominik, ndërkaq u përshtat për ekran nga romani historik i Joyce Carol Oates, i vitit 2000, i titulluar “Blonde”.
Rolin e Monroe në film e luan aktorja Ana de Armas. Në rolet dytësore parqiten aktorët: Adrien Brody, Bobby Cannavale dhe Julianne Nicholson.
Ky film u vlerësua për audiencën që janë të moshës mbi 17 vjeçare, pasi që përmban skena jo të përshtatshme për ta.
Në të riimagjinohet jeta e ikonës Hollivudiane, Marilyn Monroe.
Filluar nga fëmijëria e saj si Norma Jeane, e deri te arritja e famës dhe ngatërresat romantike, “Blonde” sjell në ekran skena të vërteta dhe të trilluara përmes të cilave eksplorohet ndarja në mes jetës së saj private e publike.
Regjisori Dominik me ambicjet e tij për këtë film ishte i qartë që në fillim. Synimi i tij ishte që të prezantonte jetën e Monroe përmes lenteve të saj, ka thënë aktorja de Armas për Netflix.
Ai ka synuar që bota të sheh atë jo vetëm si Marilyn Monroe, por edhe si Norma Jeane, ka thënë ajo.
Për tu paraqitur me rolin e Marilyn Monroe, de Armas ka thënë se ka punuar një vit, se ka parë qindra fotografi të saj, ka lexuar romanin e Joyce, e shumë çka tjetër që lidhej me Marilyn Monroe.
Çdo skenë është inspiruar nga fotografitë, ka thënë ajo.
Pra Marilyn Monroe u bë njëra prej personave më të famshëm në botë, por Norma mbeti e padukshme në këtë aspekt, andaj kanë dashur që në ekran të sjellin të dy anët e saj.
Filmi “Blonde” do të lansohet në Netflix më 23 shtator 2022./21Media