Trajkoviq thotë se Lista Serbe është e zhytur në krim

Edhe politikanja serbe në Kosovë, Rada Trajkoviq konsideron se Lista Serbe është e zhytur në krim, ndërsa paraqitjet e saj publike për institucionet e Kosovës i përdor për t’i vënë në lajthitje serbët lokalë.
“Veriu është pjesë e Kosovës, dhe se pjesë e Qeverisë së Kosovës janë njerëz nga kjo pjesë e vendit dhe të gjithë zyrtarët e Listës Serbe si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal janë pjesë e pushtetit në Prishtinë. E keqja është se kjo e ashtuquajtur elitë serbe në Kosovë është po ashtu një organizatë kriminale. Ata në kontinuitet i sulmojnë të gjitha institucionet e Kosovës, por është për t’u çuditur sesi të njëjtit nuk merren në përgjegjësi për sjelljet e tyre ndaj institucioneve sikurse që institucionet nuk ndërmarrin hapa ndaj tyre”, ka thënë ajo.
Trajkoviq, pohon se perfaqësuesit e Listës serbe bëjnë politikë dyfytyrëshe.
“Ata në njërën anë propagojnë se institucionet e Kosovës po ndërtojnë bazën policore kundërligjshëm në pronën private të serbeve në veri, por ne fakt kjo bazë ngritet në marrëveshje me institucionet qendrore në Prishtinë, te cilat ia kompensojne pronarit tokën e dhënë për këtë bazë. Pra, të njëjtit serbë që i paraqesin institucionet e Kosovës si armiqësore ndaj komunitetit serb, në fakt çdo gjë e bëjnë në marrëveshje me Qeverinë e Kosovës, duke shkaktuar kësisoj përçarje midis njerëzve”, shtoi ajo.
Trajkoviq thotë se kërcënimet e Listës serbe për dalje nga Qeveria e Kosovës nuk janë të vërteta.
“Përfaqësuesit e Listës serbe nuk dalin kurrësesi nga Qeveria e Kosovës, sepse ata në këtë mënyrë e sigurojnë imunitetin për ndjekje penale për veprimet e tyre kriminale. Ata janë të zhytur në krim deri në fyt. Duke qëndruar në Qeverinë e Kosovës, Lista Serbe automatikisht i shmanget hetimeve dhe ndoshta edhe burgosjes”, përfundon Trajkoviq./21Media

Back to top button