Trajtimi i Selimit në Spital mund të zgjasë deri në 10 ditë

Për gjendjen shëndetësore të Sylejman Selimit flet drejtori i ORL-së

Ish -Gjenerali i UÇK-së, Sylejman Selimi për shkak të problemeve shëndetësore, është  shtrirë mbrëmë në Klinikën e Otorinolaringologjisë në Prishtinë. Këtë e ka konfirmuar për rtv21.tv Zyra për informim të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Ndërsa, Drejtori i Klinikës së Otorinolaringologjisë, Hajdin Thaçin për portalin rtv21.tv ka konfirmuar se gjendja e Selimit nuk është e keqe, por ai tha se i nevojitet trajtim mjekësor për disa ditë pasi që ka probleme me marramendje.

“Pacieni ka nevojë për trajtim mjekësor, pasi që i njëti ka probleme me marramendje dhe jo stabilitet në lëvizje, kjo po i paraqet vështirësi edhe në të ecur”, u shpreh Thaçi përmes telefonit për rtv21.tv

Ai tha se Selimi duhet të marrë terapi dhe se këto trajtime zgjasin deri në 10 ditë.

Thaçi konfirmoi se Selimi është hospitalizuar për të vazhduar trajtimin e pa përfunduar nga hospitalizimi që e ka bërë në muajin dhjetor të vitit të kaluar.

Kujtojmë se më 24 maj 2013 ishte arrestuar gjeneral, Sylejman Selimi dhe ishte shpallur fajtor për një vepër penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile nga Gjykata Themelore në Mitrovicë më 27 maj 2015 dhe ishte dënuar më 6 vjet burg. Ndërsa, më 7 qershor 2018 është mbajtur rigjykimi për “Drenica 2”, më 11 qershor është mbajtur për “Drenica 1”. Për këtë edhe avokati i tij, Tomë Gashi pati thënë ditë më parë se pa asnjë të drejtë ligjore po vazhdon të mbahet në burg Sylejman Selimi tash e tre muaj./21Media

Back to top button