Transporti Publik shton autobusët për festat e fundvitit

Ndërmarrja publike Trafiku Urban do të punojë edhe gjatë festave zyrtare

Pra në datat 25 dhjetor (nesër) dhe 1 janar, do të punohet madje edhe me numër të shtuar të autobusëve.

Kështu ka thënë kryeshefi ekzekutiv i Trafikut Urban, Lulzim Rexhepaj.

“Fillimisht, të sqarohemi se ne jemi ndërmarrje që ofrojmë shërbim të transportit publik dhe punojmë çdo ditë të javës, 365 dite të vitit. Nesër,  me datë 25.12.2019 do të ketë më shumë autobusë të angazhuar krahasuar me ditët e fundjavës sepse tani për festat e fundvitit është qarkullimi më i madh i udhëtarëve”, tha Rexhepaj për kallxo.com

Tutje ai shtoi se vendimi për të punuar për festa të fundvitit është marrë ditën e premte të javës së kaluar pas mbledhjes së menaxhmetit të Trafikut Urban.

“Jemi në shërbim të qytetarëve dhe mundohemi të ofrojmë kapacitete të mjaftueshme në transportin urban. Me këtë rast, ju njoftojmë se edhe për natën e Vitit të Ri do të ketë më shumë autobusë të angazhuar në linjat që përfshijnë qytetin e Prishtinës dhe do të punohet me orarë të zgjatur deri në ora 02:00 të mëngjesit të datës 1 janar”, shtoi kryeshefi Rexhepaj.

Ai shtoi se meqenëse do të jenë te angazhuar shumica e autobusëve atëherë kuptohet se do të punojnë edhe shumica e stafit te autobusëve (shoferë, konduktorë dhe kontrollorë të biletave).

Ai tha se ata që nuk do të punojnë janë pjesa e administratës, arkëtarët, shitësit e biletave në kioskë, gjysma e stafit teknik të mirëmbajtjes së autobusëve dhe disa të tjerë.

“Pagesa në ditët e festave bëhet konform Ligjit te Punës (mëditja e garantuar për dite feste, ndërsa për ata që punojnë në festë marrin +150%). Në këtë aspekt ndoshta jemi ndërmarrje e vetme që e zbatojmë ligjin në përpikëri duke ua mbledhur të gjithë minutat e punës dhe pastaj koha e punës mbi 8 orë paguhet +30%”, shtoi ai.

Ai madje tha edhe se në ndërmarrje lajmërohen vullnetarisht për t’u angazhuar, në mënyrë që të marrin më shume orë shtesë, në rastet kur angazhojmë me shume autobusë krahasuar me orarin e rregullt./kallxo

Back to top button