Tre të vdekur, 23 të plagosur nga granatimet ruse në Kharkiv

Bombardimet ruse vranë tre persona dhe plagosën 23 të enjten në Kharkiv, sipas zyrës së prokurorit rajonal.

Rusia sulmoi një stacion transporti publik pranë tregut në rrethin Kyivskyi të Kharkivit me raketahedhës Uragan më 21 korrik në orën 9:30 të mëngjesit me orën lokale, postoi zyra e prokurorit në Telegram. 

Ushtria ruse bombardoi gjithashtu lagjen Saltivskyi të Kharkiviitt, duke goditur një ndërtesë banimi dhe duke plagosur tre civilë, shtoi zyra dhe informoi se filloi një hetim penal për këto sulme.

“Armiku rus sulmon vetëm rrugët e qytetit, pavionet tregtare dhe infrastrukturën e banimit”, tha Oleh Synehubov, kreu i administratës ushtarake të rajonit të Kharkivit.

Sipas administratës ushtarake rajonale, gjatë natës pati edhe granatime të rënda të qytetit të Chuhuivit. Chuhuiv shtrihet në perëndim të linjave të rëndësishme të furnizimit rus për ofensivën e tij në qytetin lindor të Donetskut. 

Administrata tha se impianti i trajtimit të ujit u dëmtua.

Synehubov tha se pavarësisht granatimeve të pamëshirshme në rajonin e Kharkivit, “që nga maji, armiku nuk ka marrë territor të ri – asnjë metër të vetme”.

Një djalë 13-vjeçar ishte në mesin e tre viktimave të një sulmi rus në lagjen Saltivskyi të Kharkivit të mërkurën, shkruan CNN./21Media

Back to top button