​Krasniqi thotë se Qeveria Kurti ka numrat, por s’ka dije e karakter

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka adresuar një sërë akuzash ndaj Qeverisë Kurti.
Në seancën e Kuvendit, ai ka thënë se miratimi i rezolutës për çmimet e rritura nuk është i duhur dhe as i ligjshëm.
Krasniqi ka theksuar se kjo qeveri numrat i ka, por dije, guxim dhe karakter jo.
Ai e ka akuzuar edhe kryeministrin Kurti se po fshihet prapa Kuvendit për vendimmarrje.
“Me këtë rezolutë edhe pse militanti i LVV-së nuk mund t’i besoj, nënkupton që Mimoza po e mëson Albinin çfarë të bëjë. Në prapavijë me këtë rezolutë, Albin Kurti po fshihet pas Mimoza Kusarit, sepse e dinë se qëllimi i rezolutës nuk është i drejtë, ligjshëm dhe i duhur. Prandaj i duhet një lloj për të kamufluar këtë taktikë. Një qeveri e tillë numrat i ka, por karakter jo. As dije dhe as vetëdije. As guxim dhe as veprim”, ka thënë ai.
Kreu i PDK-së ka theksuar se Qeveria Kurti po e rrezikon lirinë ekonomike në Kosovë.
“Qeveria po e thellon edhe më tej shtrirjen e krizës ekonomike që sot ka mbërritur në secilën familje, para se gjithash përmes inflacionit dhe nëse nuk veprohet, nesër do të shkohet në prishjen e ekuilibrit ekonomik të secilin vend. Ekonomia e Kosovës është në gjendjen më të rëndë në këto 23 vjetët e fundit që jetojmë të lirë”, ka theksuar Krasniqi.

Back to top button