Tre vjet në krye të FFK-së, Ademi numëron sukseset e arritura

 
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, sot ka mbushur tre vjet prej se është zgjedhur në krye të institucionit më të lartë të futbollit të Kosovës.
Me këtë rast, ai ka numëruar sukseset e arritura nën drejtimin e tij dhe ka premtuar angazhimin e më tutjeshëm në rritjet dhe zhvillimit e futbollit kosovar.
Ademi ka thënë se që nga dita e parë ka punuar me përkushtim, përgjegjësi dhe ndërshmëri.
“Sot bëhen tre vjet që kur mu dha besimi për ta drejtuar shtëpinë më të madhe të futbollit në vendin tonë – Federatën e Futbollit të Kosovës. Që nga dita e parë në krye të këtij institucioni e fillova punën me përkushtim dhe me zotim për përgjegjësi e ndershmëri. Falë mbështetjes së fuqishme nga delegatët dhe klubet anembanë vendit arrita që së bashku me KE të FFK-së ta çojë futbollin tonë në një nivel tjetër”, ka shkruar fillimisht Ademi në Facebook.
Për punën e tij, Ademi ka falënderuar edhe drejtuesit e UEFA-së dhe FIFA-së për mbështetjen e dhënë.
“Pashmangshëm për këtë duhet falënderuar edhe presidentin e UEFA-s, Aleksandër Çeferin dhe presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino dhe të gjitha organet e këtyre dy institucioneve, të cilët qëndruan përkrah nesh në vazhdimësi dhe i mbështetën të gjitha projektet të cilat i paraqitëm para tyre”.
“Duke qenë në krye të FFK-së, me mbështetjen e Komitetit Ekzekutiv, gjatë kësaj periudhe kam bërë reforma të mëdha, të cilat për qëllim të vetëm e kanë përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e cilësisë së garave. Formati i Superligës me 10 skuadra u vlerësua si vendimmarrja më e qëlluar e viteve të fundit, pasi është rritur organizimi i klubeve, por edhe rivaliteti dhe cilësia e ligës. Ndërkohë, edhe organizimi dhe cilësia e ligave tjera është rritur dukshëm, teksa kemi krijuar edhe Ligën e Tretë për ta masivizuar futbollin, si dhe Ligën e Veteranëve, ku janë përfshirë futbollistë të gjeneratave të ndryshme, e veçmas të periudhës së rezistencës”.
Më tutje, Ademi ka theksuar se është përpjekur maksimalisht për t’iu qëndrua afër klubeve me subvencione dhe përkrahje gjatë këtyre viteve.
“Duke pasur parasysh se në të kaluarën kam qenë vet në krye të një klubi dhe i di më shumë se kushdo tjetër vështirësitë me të cilat ballafaqohen ata që investojnë në futboll, jam përpjekur maksimalisht që t’u qëndrojë afër klubeve me subvencione dhe përkrahje në infrastrukturë gjatë këtyre tre viteve, e sidomos në periudhën e pandemisë Covid-19”.
“Pavarësisht goditjes së papritur globale nga virusi Covid-19, ne nuk u ndalëm. Arritëm që me vendosmëri e unitet ta rikthejmë futbollin dhe të ndihmojmë të gjitha klubet, por njëherësh edhe të vazhdojmë projektet zhvillimore në futbollin e fëmijëve dhe në atë të femrave”.
Kryetari i FFK-së gjithashtu ka thënë se ka punuar shumë edhe në zhvillimin e futbollit të femrave si dhe në edukimin e kuadrove të reja.
“Kur jemi tek futbolli i femrave në kuadër të strategjisë së re, kemi miratuar subvencionimin e drejtpërdrejt gjatë gjithë edicionit të trajnerëve dhe lojtareve të të gjitha klubeve në Ligën e Parë dhe në Ligën U16, me qëllimin që futbollin e femrave ta ngrisim në nivel tjetër”.
“Gjatë këtyre tri viteve kemi arritur të edukojmë shumë kuadro të reja për trajnerë dhe gjyqtarë, teksa nëpërmjet programit “Grassroots” kemi zhvilluar mijëra aktivitete, me përfshirje të gjerë të të gjitha kategorive, e sidomos personat me nevoja të veçanta”.
Duke vazhduar më tutje, Ademi ka premtuar angazhim dhe përkushtim për zhvillimin e futbollit.
“Misioni dhe obligimi im në krye të FFK-së është që t’i jap hov zhvillimit të futbollit. Prandaj, në këtë aspekt besoj se investimi në një infrastrukturë me standarde evropiane ndihmon në krijimin e gjeneratave të reja, me të cilat më vonë do të ndihemi krenarë”.
“Në këtë drejtim, falë menaxhimit të kujdesshëm financiar kemi arritur që të kryejmë punë të mëdha në Kampin Edukativ Nacional në Hajvali, duke e shndërruar atë në një kompleks modern, i cili do t’u shërbejë ekipeve zinxhir të grupmoshave të Kombëtares së Kosovës, por jo vetëm”.
“Reforma kemi bërë edhe në ekipet kombëtare, ku synojmë që të rrisim nivelin e përgjegjësisë dhe arritjen e rezultateve kulmore. Ekipit kombëtar i kemi krijuar kushte të barabarta me të gjitha ekipet kombëtare të vendeve evropiane, derisa në vazhdimësi kemi punuar për të sjellë në ekip lojtarët tanë më të mirë”.
Ademi ka përmendur edhe investimet në infrastrukturën sportive.
“Një vëmendje të madhe i kemi kushtuar edhe ndërtimit të fushave ndihmëse për klubet në qytete të mëdha e të vogla. E kemi ofruar vullnetin tonë për të përkrahur financiarisht ndërtimin e fushave të tilla në bashkëpunim me institucionet lokale dhe deri më tash kemi hasur në koordinim të mirë, edhe pse në disa raste ka vonesa për shkak të burokracive në pushtetin lokal”.
“Një investim kapital e kemi bërë edhe në selinë e FFK-së, duke e shndërruar atë në Shtëpi moderne të futbollit. Kjo, pa dyshim më bën të ndihem krenar, pasi tashmë administrata e FFK-së punon në ambiente me standarde të larta evropiane, teksa miqtë dhe dashamirët tanë të shumtë vendorë e ndërkombëtar kemi ku t’i presim e t’i nderojmë”.
I pari i FFK-së ka thënë se në rrugën e punës së tij ka hasur edhe në disa pnegesa nga njerëz që nuk ia duan të mirën këtij institucioni por që nuk kanë lejuar që kjo të ndikojë në destabilizimin e institucionin që ai e drejton.
“Jam i bindur se jemi në rrugën e duhur dhe bashkërisht do të realizojmë edhe shumë projekte të reja, pasi këtë ua kemi borxh gjeneratave të reja. Në punën tonë kemi hasur jo rrallë edhe pengesa, veçanërisht nga njerëz që nuk ia duan të mirën FFK-së dhe që nuk përfaqësojnë asgjë në futboll. Por, fatmirësisht njerëzit e futbollit qëndruan dhe po qëndrojnë unik në mbështetje të FFK-së, duke mos lejuar që njerëz të tillë të destabilizojnë institucionin të cilin e drejtoj”.
“FFK do të vazhdojë të jetë shtëpi e hapur për të gjithë ata që kanë vizion dhe ja duan të mirën futbollit. Ky institucion do të punojë pareshtur për ta ngritur në nivele sa më të larta qoftë futbollin e ekipeve kombëtare, qoftë atë të klubeve”.
“Në vitin e katërt të mandatit tim të parë do të ketë edhe shumë projekte, ngritje dhe zhvillim!”, ka thënë në fund Ademi.

Back to top button