Tri barna kundër Covid-19 licencohen për tu importuar në Kosovë

 

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj ka aprovuar sot propozimin e grupit profesional të Agjensisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) që për zbatimin e masave të veçanta, AKPPM të lëshojë licencë importi pa autorizim të marketingut për produktet për përdorim tek pacientët me Covid-19 si: Remdesivir, Favipiravir dhe Hydroxychloroquine.

Sipas njoftimit për media ky aprovim vlen për periudhën gjatë pandemisë Covid-19 deri në shfuqizimin e vendimeve të Qeverisë për masa të veçanta.

“Duke pasur parasysh situatën emergjente të krijuar si rrjedhojë e pandemisë së virusit Covid-19, Grupi profesional i AKPPM-së, bazuar në nenin 39 paragrafi 1 i Ligjit nr. 04/L-190 për produkte dhe pajisje medicinale e ka parë të arsyeshme që të krijohet mundësia e importit të barnave Remdesivir, Favipiravir dhe Hydroxychloroquine me kushte të veçanta pa autorizim për marketing, në mënyrë që të shpejtohet qasja në këto barna të parapara në udhërrëfyesin klinik nr. 9 mbi menaxhimin dhe trajtimin e Covid-19”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Gjithashtu, theksohet se Zemaj do të autorizojë përfshirjen e këtyre tre barnave edhe në Listën e Esenciale të Barnave përmes plotësim-ndryshimit të saj./21Media

Back to top button