Trump e pyeti Zelenskyn nëse Ukraina mund të godiste Moskën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump e ka pyetur presidentin ukrahinas, Volodymyr Zelenskyn nëse Ukraina është e aftë të godas Moskën, teksa e inkurajonte për të kryer më shumë sulme me rreze të gjatë brenda territorit të Rusisë.
Presidenti amerikan i ka thënë homologut të tij ukrainas se dëshironte që Ukraina të “i bëjë [rusët] të ndjejnë dhimbjen” dhe ta detyrojë Putinin të ulet në tryezën e negociatave, kanë thënë burime për Financial Times, sipas The Telegraph.
“Volodymyr, a mund ta godisni Moskën?… A mund ta godisni edhe Shën Petersburgun?”, ka pyetur presidenti amerikan gjatë një bisede telefonike më 4 korrik.
Presidenti ukrainas është përgjigjur: “Absolutisht. Mundemi, nëse na jepni armët”.
Pas kësaj bisede, Kievi ka marrë një listë nga ndihmësit amerikanë me sisteme goditëse me rreze të gjatë veprimi që mund të bëhen të disponueshme përmes transferimeve të palëve të treta.
Pavarësisht ndryshimeve të qëndrimit të zotit Trump, SHBA-ja thuhet se mbetet hezituese për t’i dhënë Ukrainës raketat Tomahawk – raketa precize kruz që mund të godasin objektiva deri në 1,600 kilometra larg.