Trump presidenti i parë që i nënshtrohet dy herë votimit për shkarkim

 

Ligjvënësit në Dhomën e Përfaqësuesve kanë miratuar të mërkurën rezolutën për shkarkim të presidentit amerikan, Donald Trump, për shkak të rolit të tij në sulmin ndaj Kongresit nga një turmë e mbështetësve më 6 janar.

Trump është presidenti i parë në historinë amerikane ndaj të cilit janë kryer dy tentime për largim nga zyra.

Rezoluta për shkarkim është miratuar nga 232 ligjvënës, derisa 197 të tjerë kanë votuar kundër.

Përveç demokratëve, dhjetë republikanë kanë votuar po ashtu në të mirë të shkarkimit të Trump-it.

Pas këtij hapi, Senati do të duhet të zhvillojë një seancë gjykimi, çka potencialisht mund t’ia ndalojë Trump-it edhe kandidimin e sërishëm për president.

Dy të tretat e Senatit, të udhëhequr nga republikanët, nevojiten për të dënuar dhe larguar Trump-in nga zyra, që nënkupton se të paktën 17 republikanë duhet t’iu bashkohen demokratëve kundër presidentit në Senatin me 100 ulëse.

Back to top button