Trump sërish përmend Kosovën dhe Serbinë

Gjatë konferencës për media në Hagë të Holandës, presidenti amerikan, Donald Trump, përmendi Kosovën dhe Serbinë.
Referencën për këto dy shtete ai e bëri në pyetjen nëse e sheh presidentin rus, Vladimir Putin, si armik.
“Më ka telefonuar së voni dhe më tha që a mund të të ndihmojë me Iranin. I thash jo, mund të më ndihmosh me Rusinë. Sepse e dini që javët e fundit, jemi marrë me Indinë dhe Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë. Mendoj të premten do të jetë Kongo dhe Ruanda. Ishte një luftë e pamëshirshme”, tha Trump.
Nuk dihet nëse referenca për Kosovën dhe Serbinë ka të bëjë për ndonjë përpjekje drejt normalizimit të raporteve mes këtyre dy vendeve.
Megjithatë, sa i përket ndërveprimeve mes Kosovës dhe SHBA-së, më herët gjatë qershorit, Qeveria në detyrë e Kosovës miratoi vendimin që të pranojë deri në 50 personave, shtetas të vendeve të treta të dëbuar nga territori amerikan. SHBA-ja e ka mirëpritur vendimin e Kosovës për të strehuar përkohësisht këta persona.
Gjatë po të njëjtës konferencë për media në Hagë, kur u pyet se pse nuk ka arritur që t’i japë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, Trump tha se është një situatë e ndërlikuar. Në këtë kontekst, ai përmendi disa luftëra që SHBA-ja i ka ndalur, por po ashtu u shpreh se “e ndaluam Serbinë, e cila po synonte t’ia mësynte” – pa përmendur nëse bëhej fjalë për një konflikt të mundshëm me Kosovën.
Ndërkaq, më 15 qershor, Trump ka përmendur ndërmjetësimin e tij në raportet mes Kosovës dhe Serbisë si shembull të rolit të SHBA-së në parandalimin e konflikteve, teksa po fliste për konfliktin mes Izraelit dhe Iranit – i cili përfundoi me një armëpushim të arritur më 24 qershor.
“Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova ishin duke shkuar drejt një përplasje të ashpër, siç kanë bërë për dekada, dhe ky konflikt afatgjatë ishte gati të shpërthente në LUFTË. E ndalova atë (Biden e ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime shumë të pakuptimta, por unë do ta rregulloj, sërish!)”, shkroi Trump në Truth Social.
Gjatë mandatit të parë presidencial të Trumpit, Kosova dhe Serbia arritën në Shtëpinë e Bardhë marrëveshjen për normalizim ekonomik.
Kjo marrëveshje, që përfshinte edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk është zbatuar në tërësi. /rel
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?