Trupat ruse arrijnë në Kazakistan, vazhdojnë trazirat
Forcat e udhëhequra nga Rusia kanë mbërritur në Kazakistan me kërkesë të liderit autoritar të vendit, në mes të trazirave në protestat antiqeveritare.
Ministria e Brendshme tha se 26 “kriminelë të armatosur” ishin “likuiduar” dhe 18 policë u vranë në trazirat, të shkaktuara nga një rritje e çmimit të karburantit.
Një gazetar i BBC në qytetin më të madh Almaty ndau videon e të shtënave të forta gjatë natës të enjten.
OKB, SHBA, Britania e Madhe dhe Franca u kanë bërë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna, transmeton rtv21.tv.
“Interneti nuk funksionon dhe pak informacione të pavarura po vijnë. Më shumë se 3,000 njerëz janë arrestuar”, tha ministria e brendshme.
Sipas mediave lokale, në të gjithë vendin janë ngritur 70 postblloqe.
Në një deklaratë të premten, presidenti Kassym-Jomart Tokayev tha se “rendi kushtetues ishte rivendosur kryesisht në të gjitha rajonet e vendit” dhe se “autoritetet lokale ishin në kontroll të situatës”.
Presidenti i cili ka fajësuar “terroristët” të trajnuar nga të huajt për trazirat pa dhënë dëshmi, tha se operacionet do të vazhdojnë derisa “militantët të eliminohen plotësisht”.
Ndërsa protestat u përshkallëzuan, Presidenti Tokayev i bëri thirrje Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive të udhëhequr nga Rusia për mbështetje. Blloku përfshin Rusinë, Kazakistanin, Bjellorusinë, Taxhikistanin dhe Armeninë.
Forcat e huaja thuhet se dërguan rreth 2,500 ushtarë në Kazakistan
Departamenti Amerikan i Shtetit tha se po monitoronte nga afër dislokimin e trupave ruse.
Trazirat filluan të dielën kur kostoja e gazit të lëngshëm të naftës të cilin shumë njerëz në Kazakistan e përdorin për makinat e tyre – u dyfishua, duke tërhequr protestuesit në rrugë.
Qeveria ka thënë se kufiri i çmimit të karburantit do të rikthehet për gjashtë muaj. Por njoftimi nuk ka arritur t’i japë fund protestave, të cilat janë zgjeruar duke përfshirë ankesa të tjera politike.
Kazakistani shpesh përshkruhet si autoritar dhe shumica e zgjedhjeve fitohen nga partia në pushtet me gati 100% të votave. Nuk ka opozitë politike efektive./21Media