‘Trupat ruse janë tërhequr nga Çernobili’
Energoatom, ndërmarrja shtetërore që mbikëqyr termocentralet bërthamore të Ukrainës, tha të enjten se forcat ruse ishin tërhequr nga Çernobili, vendi i fatkeqësisë më të madhe bërthamore në botë në vitin 1986.
Termocentrali bërthamor i Çernobilit dhe territori përreth tij kanë rënë në duart e trupave ruse në javën e parë të luftës në Ukrainë. Në një deklaratë në Telegram, Energoatom tha: “U konfirmua se pushtuesit, të cilët kapën termocentralin bërthamor të Çernobilit dhe objektet e tjera në Zonën e Përjashtimit, marshuan në dy kolona drejt kufirit të Ukrainës me Republikën e Bjellorusisë”.
Deklarata shtoi se trupat ruse njoftuan synimin e tyre për t’u larguar dhe për t’ia dorëzuar kontrollin personelit ukrainas të enjten. Energoatom postoi kopjen e një letre zyrtare që supozohet se u nënshkrua nga një përfaqësues i Gardës Kombëtare të Rusisë, një përfaqësues i kompanisë shtetërore ruse të energjisë bërthamore Rosatom dhe një menaxher turni i centralit të Çernobilit.
Në letër thuhet se “administrata e objektit të mbrojtur nuk bën asnjë pretendim në lidhje me trupat e Gardës Kombëtare të Federatës Ruse”.
Deklarata e Telegramit nga Energoatom njoftoi se një numër i vogël “rashistësh” – një sharje ukrainase për rusët që kombinon fjalët “fashist” dhe “racist” – mbetën në stacion.
CNN raporton se nuk ishte në gjendje t’i verifikonte menjëherë këto pretendime.
Energoatom tha se kishte raporte se një kolonë ushtarësh rusë që kishin rrethuar qytetin e Slavutych, i cili ishte ndërtuar për të strehuar punëtorët në Çernobil, po formohej gjithashtu për t’u tërhequr drejt Bjellorusisë./21Media