Trupi gjykues refuzon si provë një video që prokuroria tha se është ceremoni betimi e UÇK-së

(lajm i përditësuar)


Trupi gjykues refuzon si provë një video që prokuroria tha se është ceremoni betimi e UÇK-së

Në Gjykatën Speciale në Hagë po vazhdon procesi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me dëgjimin e dëshmitarit të gjashtëmbëdhjetë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ai po dëshmon nën masa mbrojtëse për periudhën e vitit 1998 dhe rreth zonës së Llapushnikut për të cilën ka thënë se komandanti kryesor ishte Fatmir Limaj.

Në fillim të marrjes në pyetje, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka paraqitur një video për të cilën prokurorit Matt Halling ka thënë se është ceremoni betimi e UÇK-së.

Ai ka kërkuar që njëjta të pranohet si provë materiale, por është refuzuar nga trupi gjykues meqë aty nuk shihej se është kryer betimi.

Lidhur me këtë video ka reaguar mbrojtja e Thaçit, avokati Gregory Kehoe, i cili ka thënë se nuk ka asnjë bazë për shfaqjen e kësaj video meqë dëshmitari në gjykatore nuk ishte pjesë e saj.

Dëshmitari: I pari (në video) është më mustaqe Musë Jashari, i dyti është Fatmir Limaj, i treti është Kumanova-Ismet Jashari.

Prokuroi Halling: Këta ishin tre personat e pranishëm në ceremoninë e betimit që diskutuam në seancë private? Të nderuar gjykatës, duke pasur parasysh identifikimin që bëri dëshmitari dhe duke pasur parasysh se është pranuar në mënyrë të përkohshme si provë materiale shoqëruese për një dëshmitarë tjetër, ne mendojmë që është e përshtatshme që kjo të pranohet si provë materiale.

Avokati Kehoe: Doni të pranojmë një regjistrim për betim ku nuk ka betim konkretisht, thonë që është e njëjta por nuk është e njëjta, prokuroria thotë se një dëshmitar tjetër mund të verifikojë këtë, në rregull kur të vijë ky dëshmitar ke ta bëjë, por kjo video nuk ka të bëjë fare me këtë dëshmitarë përveç faktit që Musë Jashari, Famtir Limaj, kanë qenë të pranishëm atje, dhe Ismet Jashari. Dhe ju po tregoni si duken ceremonitë e betimit të UÇK-së që ishin shumë efikase por ama betim nuk ka aty.

Gjykatësi Smith: Pranohet, nuk ka asnjë lidhje në këtë video të na tregojë për betim konkret aty. Kjo video është e pavlerë.

Pas kësaj, prokuroi ka thënë se do të ketë një tjetër dëshmitar që do të flas për këtë video.

Ai ka vazhduar me pyetje rreth strukturës së komandës në zonën e Llapushnikut.

Dëshmitari ka thënë se komandanti kryesor ka qenë Fatmir Limaj.

Derisa ka thënë se ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dëshmitari ka thënë se në periudhën e vitit 1998 kishte deklarata që pjesëtarët e LDK-së nuk duhej pranuar në UÇK.

“Një herë pasi kemi shkuar në Llapushnik kanë filluar të deklarohen disa ushtarë pa uniformë, të thjesht kanë qenë, as nuk e njihnin Rugovën, thoshin ta kishim zënë shallin, unë nuk e kuptova kush është shalli, por ne jemi ishim hy me qëllim që me luftu me forcat serbe, pastaj e kuptova që është fjala për Rugovën, pengesë e tyre paska qenë Rugova. Ne kemi qenë pjesë e LDK-së deri shumë vonë pas luftës, atëherë një far lloj presioni që kemi pasur ka qenë edhe ky motiv, njerëzit e LDK-së pse janë kyçur në UÇK, kanë menduar këta njerëzit që kanë qenë në fillim që vetëm këta duhet me e udhëheq luftën dhe vetëm këta duhet me zotërua Kosovën, ashtu diçka”, ka thënë ai.

Sipas dëshmitarit, në atë kohë thuhej se pjesëtarët e LDK-së nuk janë të besueshëm.

Mbrojtja e Hashim Thaçit ka kërkuar që të tregohet se kush kishte bërë deklarata të tilla, por prokuroi ka thënë se pyetjet rreth kësaj duhet të bëhen në seancë private.

Halling e ka pyetur dëshmitarin nëse ishte komanda e UÇK-së ajo që përhapte mesazhe të tilla.

“Mendoj që prej UÇK-së ka qenë sigurisht se nuk kish mujt me folë dikush, shumica prej luftëtarëve kanë qenë në LDK, atëherë ka pasur kundërshtime këtu, është pa qartë, veprimi i tyre, sjellja e tyre ndaj njerëzve të LDK-së, është parë qartë se ka pasur kundërshtime me thënë jo kjo nuk vazhdon kështu, duhet me ndërpre, nuk kemi të bëjmë me LDK-në, janë dashur të deklarohen ata”, ka thënë ai.

Pas kësaj, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka kërkuar që të bëhen pyetjet e përgjithshme në seancë publike dhe të vazhdohet pastaj me pyetje të tjera në seancë private, në mënyrë që të mos krijohen paqartësi dhe ndërprerje.

Seanca ka vijuar e mbyllur për publikun. /kp


Mbrojtja e Thaçit i kërkon trupit gjykues të tregojë se kjo çështje nuk ka të bëjë me trafikim organesh

Në Gjykatën Speciale në Hagë po vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në fillim të seancës, avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe, ka kërkuar nga trupi gjykues që të jap një njoftim lidhur me çështjen e trafikimit të organeve, duke deklaruar se hetimet për këtë kanë përfunduar.

Avokati amerikan ka përmendur disa artikuj të botuar gjatë ditëve të fundit në media evropiane, ku zyrtarë të Qeverisë në Rusi kanë pretenduar se udhëheqësit e UÇK-së janë të përfshirë në trafikim organesh.

Duke ritheksuar që kjo është krejtësisht e pavërtetë, marrë parasysh edhe akuzat që janë ngritur në kuadër të aktakuzës kundër Thaçit dhe të tjerëve, Kehoe ka thënë se gjykata duhet të lëshojë një njoftim, ku theksohet se kjo çështje nuk ka të bëjë me trafikim organesh.

“Nëse hetimi që ka të bëjë me trafikimin e organeve ka përfunduar, duhet që dikush në këtë godinë ta thotë këtë gjë, pra që nuk ka asgjë nga akuzat e ngritura kundër të akuzuarve të cilat i lidhin të akuzuarit me trafikimin e organeve. Nuk e di nëse rusët po përpiqen të ndikojnë këtë trup gjykues por pavarësisht qëllimeve të tyre, ata në mënyrë të vazhdueshme vazhdojnë të përpiqen që të thonë që zotërinjtë të cilët janë të akuzuar në këtë çështje gjyqësore janë të përfshirë në akuza për trafikimin e organeve, gjë e cila pa diskutim që nuk është e vërtetë. Ju parashtroj zotëri gjykatës që do ishte mirë që ju të jepni një njoftim, dhe të thoni që ky hetim ka përfunduar dhe kjo çështje nuk ka të bëjë fare me trafikimin e organeve”, ka thënë Kehoe.

Mbrojtja e Thaçit ka ngritur edhe një çështje tjetër, që sipas tij është shumë shqetësuese.

Ai ka përmendur deklaratat që një shqiptar nga Gjermania ka dhënë për median në Kosovë, duke thënë se të njëjtit i ishte kërkuar që të gjejë katër dëshmitarë katolik për të dëshmuar kundër Thaçit.

Kehoe ka thënë se kjo ka të bëjë me ndikim mbi dëshmitarët.

“E kuptoj që ZPS ka përdorur ndërmjetës në Kosovë për të gjetur dëshmitarë megjithatë kjo është ndërhyrje në procesin e drejtësisë nëse ka pjesëmarrje që inkurajon dikë që të gjejë katër dëshmitarë katolik dhe të vinë të dëshmojnë kundër klientit tim, presidentit Hashim Thaçi. Dua ta ngre këtë dhe të ua bëjë këtë me dije të nderuar gjykatës dhe besoj që është e drejtë të them që kjo ndërhyrje me çështje të drejtësisë, dhe për të qenë i sinqertë nuk kam asnjë vend tjetër kur të drejtoj këtë shqetësim, përveç trupi gjykues”, ka thënë ai.

Lidhur me shqetësimet e mbrojtjes së Thaçit ka reaguar prokuroi Matt Halling.

“Kjo është një çështje e cila nuk është diskutuar me neve interpartes, asnjë prej të çështjeve që u ngrit nga zotëri Kehoe, nuk ka të bëjë me dëshmitarin i cili do të vijë për të dëshmuar në sallën e gjyqit, kështu që ju kërkojmë që mbrojtja e zotit Thaçi t’i parashtrojë me shkrim këto shqetësim”, ka thënë ai.

Pas kësaj, avokati i Thaçit ka thënë se parashtrimet do t’i dorëzojë edhe me shkrim derisa ka theksuar se duhet të jepet shpjegim nëse dikush i ka kërkuar katër dëshmitarë kundër ish-presidentit.

“Nëse dikush është jashtë duke kërkuar dëshmitarë katolik për të dëshmuar kundër zoti Thaçi, kjo me të vërtetë është shqetësues”, ka theksuar ai.

Seanca po vazhdon me dëshminë e dëshmitarit të gjashtëmbëdhjetë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ai është i mbrojtur dhe po dëshmon me fshehje të identitetit.

Thaçi, Veseli e Selimi janë të pranishëm në gjykatore, ndërsa Krasniqi po merr pjesë në seancë përmes video lidhjes nga qendra e paraburgimit.

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ndërsa ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./G.Kadrija

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button