​Trupi gjykues rrëzon kërkesën e ZPS-së, urdhëron që të thërras dëshmitarin 1 për të dhënë dëshminë

Trupi gjykues në çështjen ndaj Pjetër Shalës ka rrëzuar kërkesën e ZPS-së që të pranohen si prova, deklaratat e mëhershme me shkrim të dëshmitarit 1. Sipas trupit gjykues, forma më e përshtatshme për t’i paraqitur provat ky dëshmitar, është përmes dëshmisë së plotë. Trupi gjykues ka urdhëruar ZPS-në që të thërras në dëgjim këtë dëshmitar në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Në hapjen e seancës së sotme gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia ka thënë se ka nxjerrë vendim me gojë sa i përket mocionit të Prokurorisë së Specializuar për pranimin e provave të dëshmitarit 1. Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që të pranohen si prova, deklaratat e mëhershme me shkrim të këtij dëshmitari.

“Në kërkesë ZPS kërkon që të pranohen si prova, deklaratat e mëhershme me shkrim të dëshmitarit 1 që ka marrë ZPS-ja si dhe materiale shoqëruese, në rast se përmbushën kërkesat e rregullës 154 të rregullores. ZPS-ja parashtron se pranimi i materialeve në lidhje me këtë dëshmitar do të mundësojë një vlerësim të plotë të këtij dëshmitari, ndërsa pyetjet e drejtpërdrejta mund të fokusohen në çështje që janë në themel të çështjes gjyqësore, si ri-freskimi i kujtesës së dëshmitarit, vendosja e pyetjeve në kontekst si dhe marrja e dëshmive lidhur me aspektet e rëndësishme të rrëfimit të dëshmitarit. Kjo nga ana tjetër do të ndihmojë që të ulet numri i orëve që nevojiten për pyetjet e drejtpërdrejta. Kemi marrë kundërshtime lidhur me këtë kërkesë nga mbrojtja, në materialin 485, më 14 prill 2023 dhe mbrojtja parashtron se duke mbajtur parasysh historikun e këtij dëshmitari si dhe kontradiktat në dëshminë e tij, materiali që kërkohet për t’u pranuar nga prokuroria, nuk është i besueshëm dhe duhet të konstatohet si material i papranueshëm, për të garantuar të drejtën e të akuzuarit për gjykim të drejtë”, ka thënë gjykatësja.

Mbrojtja ka kërkuar që nëse trupi gjykues e pranon materialin, të kërkojë të pranohen si prova materiale që lidhen me karakterin e dëshmitarit, besueshmërinë edhe të shkuarën e tij kriminale.

“Kemi marrë edhe kundërpërgjigje nga ZPS, në materialin 493, me datën 24 prill 2023 se mospërputhshmëria që pretendon mbrojtja në materialin e ofruar nga ZPS, janë çështje që duhet t’i eksplorojë mbrojtja në kundër-pyetje nëse dëshiron dhe t’i vlerësojë trupi gjykues gjatë momentit që bëhet gjykimi. Sa i takon materialeve që kërkon mbrojtja për tu pranuar, ZPS pretendon se kërkesa nuk është e vlefshme, sepse ka ardhur në formën e një përgjigje. Krahas kësaj, ZPS parashtron që materialet nuk përmbushin standardin e pranueshmërisë, sipas rregullës 138, pika 1 e rregullores dhe duhet rrëzuar”, ka thënë ajo.

Gjykatësja Veldt-Foglia ka rikujtuar se është në kompetencën e trupit gjykues që të përcaktojë formën më të përshtatshme e dëshmisë, apo modalitetin e parashtrimit si provë për çdo material që palët kërkojnë. Sipas ZPS-së dhe mbrojtjes, siç ka thënë kryetarja e trupit gjykues, dëshmitari 1 është i rëndësishëm dhe i kontestuar.

“Rregulla 154 e rregullores lejon që të kursehet koha dhe të shfrytëzohet më së miri, por në të njëjtën kohë respektohet edhe një proces i drejtë dhe të drejtës e palës kundërshtare për të kundërpyetur dëshmitarin në mënyrë të njëmendtë. Sipas ZPS-së edhe mbrojtjes, dëshmitari 1 është dëshmitar i rëndësishëm dhe i kontestuar dhe nuk mund të vendoset paraprakisht që dëshmia që mund të japë ky person mund të ketë mospërputhshmëri të mundshme dhe kontradikta. Krahas kësaj, do të duhet sidoqoftë një kohë e konsiderueshme dhe jo më pak se tetë orë, sipas ZPS-së, për të përfunduar procesin që i nevojitet këtij dëshmitari për të dhënë dëhsminë në këtë sallë gjyqi në raport me deklaratat e tij të mëhershme, në përputhje me rregullën 154 C të rregullores”, ka thënë kryegjykatësja Veldt-Foglia.

Përmes urdhrit me gojë,kryetarja e trupit gjykues ka njoftuar se nuk është miratuar mocioni i ZPS-së, me ç’rast, ka shtuar se është rrëzuar kërkesa dhe kanë urdhëruar që të thirret dëshmitari 1 që të japë dëshminë.

“Trupi gjykues vlerëson se do ta marrë parasysh natyrën e dëshmisë që pritet të japë ky dëshmitar, përfshirë ndonjë mospërputhshmëri dhe kontradiktë të mundshme lidhur me aspektet e rëndësishme të dëshmisë së tij, deklaratat e mëhershme që palët mund t’i paraqesin dëshmitarët, sikurse deri në parashtrimin e tyre si dhe koha që nevojitet nga ZPS për të përfunduar pyetjet e mbetura të drejtpërdrejta. Atëherë, provat e këtij dëshmitari sipas trupit gjykues, nuk janë të përshtatshme për procesin gjyqësor, në përputhje me rregullën 154 të rregullores. Trupi gjykues konstaton se forma më e përshtatshme për t’i paraqitur provat dëshmitari 1 është përmes dëshmisë të plot. Për këtë arsyeje, trupi gjykues rrëzon kërkesën e ZPS-së dhe urdhëron ZPS-në të thërras dëshmitarin 1 që të jap dëshminë në mënyrë të drejtpërdrejtë, tërësisht”, ka thënë kryetarja e trupit gjykues në përfundim të urdhrit me gojë.

Trupi gjykues ka urdhëruar ZPS-në që të dorëzojë brenda të premtes, 12 maj, një përllogaritje të kohës që nevojitet për të marrë në pyetje dëshmitarin 1.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë është nxjerrë vendim me gojë lidhur me kërkesën e prokurorit të specializuar për të ndryshuar listën e provave materiale.

“ZPS kërkon që të shtojë në listën e provave materiale një sërë dokumentesh zyrtar, fotografi dhe video të vendeve të pretenduara ku kanë ndodhur krimet, që janë mbledhur pas një vizite që është bërë në këtë vend nga ZPS, në fillim të këtij viti. Kemi konstatuar që mbrojtja nuk ka paraqitur kundërshtim në lidhje me këtë pjesë që është parashtrimi i 489, 1 maj 2023. Nuk kemi marrë asnjë parashtrim as prej mbrojtësit të viktimave. Trupi gjykues është i bindur se kërkesa është dorëzuar në kohë dhe është dorëzuar menjëherë pasi është marrë materiali. Trupi gjykues është i mendimit se mund ta ndihmojë trupin gjykues që të kuptojë vendin e mundshëm e pretenduar të krimit dhe po ashtu vëm re që s’ka asnjë kundërshtim nga mbrojtja dhe e miratojmë kërkesën”, ka thënë kryetarja e trupit gjykues.

Trupi gjykues ka kërkuar dorëzimin e një liste të përditësuar të provave materiale brenda 12 majit.

Urdhri tjetër me gojë ka të bëjë me përcaktimin e hapave të mëtejshëm procedural për paraqitjen e provave nga mbrojtësi i viktimave. Trupi gjykues ka vendosur që viktimat duhet të paraqesin provat e tyre nëse kanë para ZPS-së dhe para mbrojtjes. Nëse viktimat dëshirojnë të paraqesin mendimet dhe shqetësimet e tyre para trupit gjykues, mund ta bëjnë këtë pasi ka mbyllur provat ZPS dhe para se të fillojnë paraqitjen e provave mbrojtja.

Trupi gjykues ka udhëzuar që brenda 30 qershorit të dorëzohet një listë e dëshmitarëve që propozojnë të thërrasin në dëgjim. Në seancën e sotme ka lëshuar pesë urdhra me gojë.

Seanca e caktuar për nesër është anuluar, ndërsa gjykimi do të rinisë më 19 maj.

Gjatë ditës së djeshme ka përfunduar dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, i cili po përballet me akuza me pretendime për krime lufte.

Pjetër Shala e ka ndjekur edhe këtë seancë përmes video-lidhjes nga Qendra e Paraburgimit, ku ndodhet prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala është arrestuar më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe është transferuar në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Back to top button