TRUSTI: Dorëzohet peticioni i 20 mijë qytetarëve
Kryesia e Kuvendit ka vendosur ta dërgojë në Qeveri për mendim projektligjin për plotësim/ndryshimin e Ligjit për fondet pensionale të Kosovës, që mundëson tërheqjen deri në 30 për qind nga Trusti, bazuar në peticionin e nënshkruar nga mbi 20 mijë qytetarë. Organizatorët e peticionit, në kuadër të së cilit janë mbledhur nënshkrimet, shpresojnë që sa më shpejtë të përfundojnë procedura dhe të votohet tërheqja e trustit.
Peticioni i qytetarëve për trustin Kuvendi kërkon mendimin e Qeverisë për tërheqjen nga Trusti
Tërheqja deri në 30 për qind e mjeteve nga Trusti u rikthye si temë në Kuvendin e Kosovës, javën e kaluar, pak muaj pasi Kuvendi refuzoi iniciativën e deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu. Kjo bëri që mbi 21 mijë qytetarË ta nënshkruajnë peticionin për tërheqje të mjeteve nga trusti i kursimeve pensionale. Qytetarët thonë se është e nevojshme tërheqja e mjeteve nga trusti për shkak të krizës ekonomike në të cilën ndodhet Kosova.
Edhe përkundër numrit të madh të qytetarëve qe e kanë nënshkruar peticionin, ka edhe nga ata të cilët shprehen kundër tërheqjes se kursimeve pensionale.
Grupit parlamentar i PDK-së në muajin mars dorëzoi në Kuvend Projektligjin për Plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale që do të mundësonte tërheqjen e 30% të mjeteve nga trusti. PDK- ka vazhduar t’i bëjë thirrje deputetëve që t’u dalin në ndihmë qytetarëve duke votuar trustin.
Iniciuesit e peticionit shpresojnë që qeveria dhe kuvendi të mos i vonojnë procedurat dhe të votohet sa më parë tërheqja e kursimeve pensionale.
Organizatoret kanë paralajmëruar hapa të tjerë në rast se nuk kalon në Kuvend kërkesa për tërheqjen e Trustit.
Në vitin 2020, pas krizës ekonomike që ka shkaktuar pandemia, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për rimëkëmbjen ekonomike, që u ka mundësuar qytetarëve tërheqjen e 10 për qind të shumës së siguruar nga kursimet pensionale. Ndërsa në qershor të ketij viti kuvendi i pati thënë jo tërheqjes nga Trusti. Peticioni nisi menjëherë pas rrëzimit të projektligjit në Kuvend./21Media