Turqia mbron ujgurët: Kina të mbyllë kampet për internimin e tyre

Turqia i kërkon Kinës mbylljen e kampeve të saj të paraburgimit, të cilat i konsideron një “turp për njerëzimin”

Reagimi i Ankarasë erdhi pas vdekjes së një poeti dhe muzikant shumë të njohur të minoritetit etnik Ujgur, Abdurehim Heyit. Ai po vuante një dënim 8-vjeçar ne rajonin Xinjiang, ku raportohet të mbahen rreth një milionë ujgurë.

Në deklaratën e lëshuar nga ministria e Jashtme turke thuhet se këta njerëz, janë subjekt torturash dhe përballen me kampe të mirëfillta përqendrimi.

Por Pekini i ka cilësuar të papranueshme komente të tilla. Ujgurët janë një minoritet turko-mysliman në verilindje të Kinës, të cilët autoritetet kineze i mbajnë intensivisht nën mbikëqyrje.

Gjuha e tyre ngjason me turqishten e nuk janë të paktë individët që e kanë lënë Kinën për Turqinë këto vitet e fundit.

Deri më tani, siç thotë BBC, pak vende me shumicë myslimanë i janë bashkuar korit ndërkombëtar të zërave që e dënojnë këtë situatë.

Analistët mendojnë se një pjesë e mirë e tyre i druhen shpagimit politik dhe ekonomik të Kinës. Muzikanti që nxiti zemërimin e Turqisë, ka qenë dikur i adhuruar në mbarë vendin dhe luante në Dutar, një instrument me dy tela që njihet si mjaft i vështirë për t’u zotëruar.

Arsyeja e arrestimit të tij u bënë vetëm tre fjalë në tekstin e këngës së fundit, e cila i kërkonte brezave të rinj të respektonin sakrificat e atyre që ishin përpara: fjalët “Martirë të luftës” ishin ato që i shtynë autoritetet kineze të dilnin në përfundimin se muzikanti përfaqësonte një kërcënim terrorist.

Back to top button