​Tymi i zjarreve kanadeze kaplon New Yorkun, keqësohet cilësia e ajrit

Ndikimi i zjarreve në pyje në Kanada është përhapur edhe në Nju-Jork të SHBA-së ndërsa tymi i shkaktuar nga zjarret po ndikon në cilësinë e ajrit në metropol, për çka, shteti pritet të vë në dispozicion për qytetarët 1 milionë maska.

Guvernatorja e New Yorkut, Kathy Hochul, tha se rreth 400 mijë maska do të shpërndahen në parqet e shtetit, stacione të autobusëve e vende të tjera, ndërsa 600 mijë të tjera do të vihen në dispozicion në rezervat e Sigurisë Kombëtare që qeveritë lokale t’i marrin ato, shkruan CNN.

Horizonti i Manhatanit është mbuluar me një mjegull të kuqërremtë, transmeton KosovaPress.

Sipas faqes së internetit “AirNow”, indeksi i cilësisë së ajrit ishte 220 dhe u vlerësua si “shumë i pashëndetshëm”.

Qytetarët me sëmundje kronike, të moshuarit, fëmijët dhe adoleshentët këshillohen të përmbahen nga aktivitetet fizike në natyrë.

Më shumë se 400 zjarre janë aktive në Kanada ndërsa 249 besohet se janë jashtë kontrollit.

“Që nga fillimi i vitit 2023, në Kanada janë regjistruar 2.214 zjarre, ku janë djegur rreth 3.3 milionë hektarë”, tha ministri kanadez i Sigurisë Publike, Bill Blair.

Back to top button