U lirua nga burgu pas 42 vjetësh, shteti nuk i dha asnjë kompensim

Një burrë nga Misuri i dënuar gabimisht për një vrasje të trefishtë në vitin 1978 dhe i burgosur për më shumë se 42 vjet është shfajësuar dhe liruar.
Kevin Strickland, 62 vjeç, ka thënë se është i pafajshëm që nga arrestimi i tij në moshën 18. Ai u dënua në qershor 1979.
Strickland tha jashtë gjykatës “Nuk e mendoja se do të vinte kjo ditë.”
Ishte burgimi më i gjatë i gabuar në historinë e shtetit, por sipas ligjit të Misurit ai nuk ka gjasa të marrë ndonjë kompensim financiar.
Një gjykatës të martën urdhëroi lirimin e menjëhershëm të Strickland nga paraburgimi shtetëror, pas 15,487 ditësh prapa hekurave.
Avokatët e Midwest Innocence Project, të cilët kanë punuar për muaj të tërë për të ndihmuar në lirimin e Strickland, i thanë BBC-së se ishin “të entuziazmuar” për lajmin.
“Ne kishim besim se çdo gjykatës që do të shihte provat do të zbulonte se Strickland është i pafajshëm dhe kjo është pikërisht ajo që ndodhi”, tha drejtoresha ligjore e Projektit të Pafajësisë Midwest, Tricia Rojo Bushnell në një deklaratë.
Ajo shtoi “Asgjë nuk do t’i japë atij 43 vitet që ka humbur dhe ai kthehet në shtëpi në një shtet që nuk do t’i paguajë asnjë cent për kohën që i vodhi. Kjo nuk është drejtësi”.
Shteti i Misurit kompenson vetëm të burgosurit e shfajësuar përmes provave të ADN-së, jo për shkak të dëshmive të dëshmitarëve okularë, sipas Projektit të Pafajësisë Midwest.
Strickland u dënua me burgim të përjetshëm pa mundësinë e lirimit me kusht për 50 vjet pasi u lidh me plaçkitjen vdekjeprurëse të një shtëpie në Kansas City më 25 prill 1978./21Media

Back to top button