U mbajtën punëtori për planifikim strategjik dhe operacional
Zyra e Kryeministrit ka organizuar punëtori të ndara për planifikim strategjik me kabinetet politike të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.
Së bashku me kryeministrin Albin Kurti, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, zëvendëskryeministren Emilia Rexhepi dhe ministrin Hekuran Murati, u diskutuan planet strategjike dhe operacionale të këtyre katër ministrive.
Ministri Fikrim Damka prezantoi planet e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal për vitin 2022, për të ofruar zhvillim socio-ekonomik rajonal të balancuar në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Synimet e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, me qëllim të zhvillimit të nivelit lokal dhe ofrimit të shërbimeve komunale më efikase për qytetarë, u prezantuan nga ministri Elbert Krasniqi dhe anëtarët e kabineti të tij.
Në takimin e sotëm me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ministri Hajrulla Çeku dhe zëvendësministrja Daulina Osmani, prezantuan qëllimet kryesore që do të parashihen në planin e MKRS-së. Ai veçoi mbrojtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore, artin dhe kulturën si kontribuues qenësor në mirëqenien sociale, fuqizimin e të rinjve në jetën ekonomike dhe sociale, sportin si mekanizëm për konsolidimin e imazhit shtetëror dhe zhvillimin e mirëqenies shoqërore.
Ministri Goran Rakiq dhe zëvendësministri Mevlud Sinani prezantuan të arriturat dhe sfidat e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim nga viti i kaluar, si dhe planet për këtë vit, drejt arritjes së qëllimeve strategjike dhe objektivave operacionale të kësaj ministrie.
Gjatë javëve të kaluara u organizuan punëtori me kabinetet politike të: Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?