U nënshkrua marrëveshja për vizitat mjekësore në shtëpi

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi dhe shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Nona Zicherman nënshkruan sot Marrëveshjen e bashkëpunimit për Planin e vizitave mjekësore në shtëpi.
“Ministri Latifi dhe znj. Zicherman vlerësuan se objektiv është zgjerimi i këtij programi në të gjitha komunat e Kosovës, me qëllim që përmes mjekëve dhe infermierëve të trajnuar, të ofrohen shërbimeve shëndetësore të integruara dhe gjithëpërfshirëse për fëmijët dhe gratë shtatzëna gjatë vizitave mjekësore në shtëpi, ndërkohë që u pajtuan të zgjerojnë mundësitë e bashkëpunimit edhe në projekte të tjera në dobi të të gjitha komuniteteve në tërë territorin e Republikës së Kosovës.”, u bë e ditur në komunikatë.
Sipas MSh-së, programi i vizitave në shtëpi ka për qëllim përmirësimin e qasjes në shërbime të Kujdesit Parësor Shëndetësor për gratë shtatzëna, fëmijët nën 3 vjeç dhe prindërit e tyre, veçanërisht për familjet e cenueshme.
Programi i vizitave në shtëpi për shëndetin dhe mirëqenien e nënës dhe fëmijës ka filluar të zbatohet në Kosovë në vitin 2014. Aktualisht ky program është i integruar në sistemin e Kujdesit Parësor Shëndetësor  dhe zbatohet në 22 komuna të vendit.
“Programi i vizitave mjekësore në shtëpi zbatohet nga MSh dhe Kujdesi Parësor Shëndetësor, me përkrahjen e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, përmes fondeve të Qeverisë së Luksemburgut.”, u bë e ditur tutje në komunikatë./21Media

Back to top button