U nis për kryeministër, u bë Avokat i Popullit! Ende s’dihet se kush do të jetë kryeministri shqiptar në 100 ditët e fundit

 

 

U nis për t’u bërë kryeministri i parë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, por u bë Avokati i Popullit.

Zgjedhja e Naser Zyberit për këtë post, ka përplasur pushtetin dhe opozitën, por ka hapur dilema edhe vetë brenda Bashkimit Demokratik për Integrim.

Koordinatori i grupit parlamentar të integristëve, Izet Mexhiti, thotë se nuk ka dilema për figurën e Naser Zyberit për Avokat të Popullit, por tani shtron çështjen se kush do të bëhet kryeministër në 100 ditët e fundit të qeverisë, përgjigje që as vetë ai nuk e di.

“Për këtë mendoj se duhet ta pyesni z.Grubi se cila është marrëveshja dhe a do të jetë z.Naser Zyberi në ato 100 ditë kryeministër, e nëse nuk do të jetë pse nuk do të jetë dhe kush do të jetë kryeministri i parë shqiptar në RMV”, u shpreh Izet Mexhiti – deputet i BDI-së.

TV21 pyeti kabinetin e zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi se kush do të jetë Kryeministër shqiptar në 100 ditët e fundit, por përgjigje nuk morëm!

Opozita shqiptare kundërshton emrin e Zyberit duke e quajtur të paaftë për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve për shkak se siç thanë është i varur politikisht.

“Shkaku që avokati i popullit e ka detyrë dhe obligim të jetë i pavarur politikisht dhe detyrë dhe obligim t’i mbrojë interesat e qytetarëve karshi organeve shtetërore. Ky propozim për avokat të popullit nuk është as i pavarur, dhe nuk mund as ti mbrojë interesat e qytetarëve karshi institucioneve shtetërore”, potencoi Skender Rexhepi – deputet i ASH-AAA.

VMRO-DPMNE figurën e Naser Zyberit e quajtën të kontaminuar, përmes së cilën po vazhdohet partizimi i institucioneve të vendit përmes marrëveshjeve mes LSDM-së dhe BDI-së.

“Paramendojeni, nga të gjithë kandidatët e mundshëm të paraqitur, nga të gjithë ekspertët e mundshëm, të drejtësisë, njerëz që kanë përvojë në luftën për të drejtat qytetare, neve si Kuvend i Republikës së Maqedonisë na ofrohet figurë politike e kontaminuar në emrin e Naser Zyberit”, theksoi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.

Deputeti Arben Zyberi nuk morri pjesë në punën e kësaj seance, për shkak të konfliktit të interesit, sepse Naser Zyberi është xhaxhai i tij./TV21

 

Back to top button