U përkujtua Masakra e Malishevës

 

Sot, me aktivitete të reduktuara për shkak të situatës pandemike, në Malishevë është përkujtuar 31 vjetori i rënies së dëshmorëve Ali Kryeziu dhe Hisni Mazreku, apo e njohur në opinion si “Masakra e Malishevës”.

Në nderim të kësaj ngjarje dhe të rënies së dëshmorëve Mazreku e Kryeziu, qeveria komunale e Malishevës, së bashku me familjarët dhe të afërm të tjerë, kanë bërë homazhe në vendin e ngjarjes në qendër të qytetit të Malishevës, e më pas janë bërë homazhe edhe në varrezat në Malishevë dhe Bubavec.

“Dëshmorët dhe të gjithë të rënët, ne do ti kujtojmë përgjithmonë, pasi me këtë e kujtojmë dhe të kaluarën tonë dhe historinë tonë”, tha në fjalën e rastit, drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Mazreku, i cili kërkoi nga organet përgjegjëse, se këto ngjarje historike, përfshi edhe luftën e lavdishme të UÇK-së, sa më shpejt t’i fusin në librat e historisë dhe nxënësit të mësojnë për historinë e popullit tonë.

Përndryshe, kjo ngjarje, krahas vrasjeve, plagosjeve dhe maltretimeve nga aparati shtetërorë i regjimit të atëhershëm, shënon edhe reagimin e parë institucional në Kosovë, ku Komuna e Malishevës, përmes organeve të saja si komunë, por edhe përmes përfaqësuesve të saj në Kuvendin e Kosovës, kanë reaguar ndaj ngjarjeve dhe vrasjeve sistematike të shqiptarëve të pafajshëm, duke e kundërshtuar në mënyrë të hapur regjimin e atëhershëm./21Media

Back to top button