U ratifikua marrëveshja për bashkëpunim në turizëm ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës

Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi informoi se sot në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut u ratifikua Marrëveshja për bashkëpunim në turizëm ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, e nënshkruar në Shkup, më 16 shtator 2021.
Bekteshi theksoi se kjo Marrëveshje do të kontribuojë në zhvillimin e marrëdhënieve në fushën e turizmit ndërmjet dy vendeve.
“Dy vendet tona do të ndërrmarin të gjitha masat e nevojshme për promovimin dhe inkurajimin e zhvillimit të marrëdhënieve të turizmit, lehtësimin e qarkullimit turistik me përkrahjen e agjencive turistike si dhe strukturave dhe organizatave tjera që janë duke zhvilluar aktivitete në fushën e turizmit. Gjithashtu, do të krijohen kushte të favorshme për investime në fushën e turizmit, si dhe mundësi për shkëmbimin e përvojave në fushën e trajnimit profesional të personelit të industrisë së turizmit të vendeve tjera.”, shkroi Bekteshi në Facebook./21Media

Back to top button