Udhëheqësit e G7 dënojnë ashpër sulmin e Iranit kundër Izraelit

Presidenti Biden thotë se ai do të presë një takim të liderëve të G7 më vonë të dielën. Si për kujtesë, ja se si anëtarët e G7 kanë reaguar ndaj lajmit për sulmin iranian ndaj Izraelit:

  • Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak ka dënuar “sulmin e pamatur”. Ai tha se sulmet “rrezikojnë të ndezin tensionet dhe të destabilizojnë rajonin”, duke shtuar se Irani “ka demonstruar se synon të mbjellë kaos në oborrin e tij”.

“MB do të vazhdojë të mbrojë sigurinë e Izraelit dhe atë të të gjithë partnerëve tanë rajonalë, përfshirë Jordaninë dhe Irakun. Krahas aleatëve tanë, ne po punojmë urgjentisht për të stabilizuar situatën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm. Askush nuk dëshiron të shohë më shumë gjakderdhje”.

  • Kryeministri kanadez, Justin Trudeau ka thënë se vendi i tij “dënon pa mëdyshje sulmet ajrore të Iranit”, duke shtuar: “Ne qëndrojmë me Izraelin”.

“Pas mbështetjes së sulmit brutal të Hamasit të 7 tetorit, veprimet e fundit të regjimit iranian do të destabilizojnë më tej rajonin dhe do ta bëjnë paqen e qëndrueshme më të vështirë.”

  • Ministri i Jashtëm francez, Stephane Sejourne ka thënë se Franca “dënon në termat më të ashpër sulmin e nisur nga Irani kundër Izraelit”.

“Duke vendosur për një veprim të tillë të paprecedentë, Irani po ndërmerr një hap të ri në veprimet e tij destabilizuese dhe po merr rrezikun e një përshkallëzimi ushtarak.”

  • Ambasadori gjerman në Izrael Steffen Seibert tha: Solidariteti i Gjermanisë është me të gjithë izraelitët sonte, të cilët Irani po terrorizon me këtë sulm të paprecedentë dhe të pamëshirshëm: hebrenjtë, si dhe arabët dhe të krishterët, beduinët në Negev si dhe druzët në Golan. Qofshin të gjithë të sigurt”./21Media
Back to top button